(FOTO: Forcat Italiane të Sigurisë po patrullojnë zonën ku mbahet Samiti)/

Presidenti amerikan Donald Trump merr pjesë sot në samitin e G7 me liderët e ekonomive më të mëdha të botës, në Taormina të Siçilisë, në etapën e fundit të udhëtimit të parë të tij jashtë vendit si shef i Shtëpisë së Bardhë, njofton BBC.

Një debat i ashpër pritet për çështje që përfshijnë tregtinë dhe ndryshimet klimaterike.

G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Edhe Bashkimi Europian ka përfaqësuesin e tij në këtë takim. Katër liderë të grupit, mes të cilëve Trump dhe kryeministrja britanike Theresa May, ulen në tryezën e bisedimeve për të parën herë.

Menjëherë pas kritikave ndaj liderëve të NATO-s se nuk shpenzojnë aq sa duhet për mbrojtjen, Trump pritet të hidhet në sulm edhe ndaj bashkëbiseduesve të tij në G7.

Pritet nga ky samit një marrëveshje për nevojën për të bërë më shumë për të luftuar ekstremizmin dhe do të ketë diskutime serioze me kryeministrin japonez për kërcënimin që vjen nga koreja e veriut.   Samiti vjen vetëm pak ditë pas sulmit vdekjeprurës në Manchester në të cilin 22 persona, mes të cilëve edhe fëmijë, humbën jetën.

Kryeministrja britanike, Theresa May ka thënë se do t’u kërkojë liderëve botërorë të bëjnë më shumë për të luftuar ekstremizmin online, pasi sipas saj lufta kundër të ashtuquajturit shteti islamik, po zhvendoset nga fushëbeteja në internet.  Pikat ku pritet të ketë më shumë debate kanë të bëjnë me ndryshimet klimaterike dhe tregtinë.

Presidentit amerikan Donald Trump i është kërkuar të mos braktisë marrëveshjen e 2015 në Paris për luftën ndaj ngrohjes globale, ndërkohë që ai do të përpiqet t’u rezistojë përpjekjeve për të kufizuar proteksionizmin në tregtinë globale.

Veritas.com.al/