Gafat e Ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nuk kanë të sosur. Sa herë flet për çështje ndërkombëtare ato nuk mungojnë, në kontrast me zhdërvjellëtësinë që ajo ka kur ngarkohet me leximin e deklaratave politike, me shpërndarje dekoratash apo fushata elektorale, si ajo e fundit në Lezhë, ku u zgjodh deputete.

 

Në tetor 2014, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ministrja Kodheli tha se po bashkëpunonte me qeverinë kurde në një kohë që dihet botërisht se kurdët nuk kanë as shtet e as qeveri.

 

Por më i rëndë është komenti i ministres shqiptare të mbrojtes për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Në një bashkëbisedim me disa gazetarë, përpara samitit të NATO –s që do të mbahet në Varshavë, Kodheli u shpreh se pavarësisht se Britania doli nga BE, “ne si NATO e pranojmë në gjirin tonë”, madje duke theksuar se ky ishte një detaj tepër i rëndësishëm.

Ministrja duket se nuk e di që Britania e Madhe ishte bashkëthemeluese e NATO –s. Britania e Madhe është anëtare e saj prej 4 prillit të vitit 1949 dhe fuqia e dytë ushtarake e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Britania e Madhe është po ashtu një prej kontribuuesve kryesore të NATO –s dhe një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB. Britania e Madhe nuk e ka ndryshuar asnjëherë rolin dhe qëndrimin e saj ndaj NATO –s dhe referendumi i fundit të qershorit ishte për të qëndruar ose jo në BE, pa patur kurrfarë ndikimi në lidhje me raportin e saj me NATO –n. Britania e Madhe ishte ashtu në ndër vendet kryesore të NATO –s që mbështeti pranimin e Shqipërisë në vitin 2009, pavarësisht se ministrja Kodheli flet sikur Shqipëria të ketë ndonjë rol udhëheqës në Aleancë. /Marre nga Lapsi.al