Maxhoranca pritet të depozitojë të hënën në Kuvend firmat e nevojshme që i duhen për nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, hap që vjen pas miratimit në parlament të rezolutës për shkeljet që lidhen me dekretin e shfuqizimit të datës së zgjedhjeve nga kreu i shtetit.
Burimet i thanë Televizionit Klan se deri më tani janë te paktën 40 deputetë socialistë ata të cilët kanë firmosur, me përjashtim të Pandeli Majkos dhe Fatmir Xhafajt. Lista e firmëtarëve prihet nga kreu i grupit parlamentar të Socialistëve, Taulant Balla dhe Zv/ Kryeministri Erjon Braçe, ndërkohë emrave që mbështesin qëndrimin e shumicës mësohet se i janë shtuar edhe 15 deputetë të opozitës se re parlamentare.
Me depozitimin e kërkesës bashkangjitur dhe firmat aktivizohet mbledhja e Komisionit të ligjeve, që vendos ngritjen ose jo të një komisioni hetimor mbi pretendimet për shkeljen e Kushtetutës nga ana e Presidentit.
Komisioni hetimor është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës në lidhje me propozimin e paraqitur. Në përfundim të hetimit, paraqitet një raport që duhet të shqyrtohet në një seancë të veçantë brenda 20 ditëve e më pas është Kuvendi ai që voton për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, 93 vota dhe me votim të fshehtë.
Gjithsesi fjalën e fundit e ka Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për fajësinë apo jo të Presidentit dhe si pasoje për shkarkimin ose jo të tij.
Veritas.com.al/