Veritas.com.al/

Para pak ka ndodhur një ‘përplasje’ mes gazetarëve; njësoj si përplasjet në rrugë: Disa media thanë se ‘ambasadori Lu sapo ka hyrë në zyrën e kryeministrit Rama’, ndërsa mediat e tjera për të njëjtën kohë thonë se ‘Lu  bashkë me ambasadoren e BE dhe ambasadorin e OSBE sapo hynë në zyrën e Metës’.

Por kjo nuk është ndonjë gjë e madhe në zakonin e mediave. Mediat, sidomos në kohën kur lëvizin makinat e ambasadorëve, bëhen si lojtarë të pingpongut. Secili ndjek me sy ‘topin’ e shpejtë në fushën e lojës. ‘Topi’ për gazetarët janë ambasadorët.

Në këtë kohë krize politike gazetarët i kanë drejtuar aparatet e tyre njerëzore dhe teknike te dyert e ambasadave dhe të zyrave të shtetit.  Me siguri, o vetë gazetarët, o pronarët e  mediave, mendojnë se zgjidhja gjendet në duar të ambasadorëve.  Por kjo është zgjidhja magjike, e cila po injektohet edhe në opinionin e pubikut. Është krijuar një frymë e tillë ngushtësie vëzhgimi, saqë pritet të lëvizin ambasadorët që të zgjidhen çështjet tona. Disa popuj, si edhe ne, e kanë këtë zakon ‘iluziv’ por janë komunitetet më të pa zhvilluara. Por më i theksuar ‘kulti’ i ambasadorit është në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë. Ku ka ‘ambasadorë’ nuk ka opozitë, nuk ka ligj dhe princip, dmth., asnjë nga këto nuk u hyn në sy(!).

Prapa ‘kultit’ të ambasadorit, shpesh fshihet vetë qeveria e vendit, defektet e saj si dhe sjelljet ‘e padiskutueshme’ të miratuara nga ‘të mëdhenjtë’. Pa harruar që shumica e ambasadorëve janë individë dhe lehtësisht të korruptueshëm.

Megjithatë, sot është një ditë ‘vrullimi’ ambasadorësh në Tiranë.

/Veritas.com.al/