Edhe pas kritikave të ashpra, ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla nuk tërhiqet duke nxitur më shumë tensionet. Ajo ka përsëritur deklaratën e saj se Bashkimi Evropian pa SHBA-në dhe NATO-n është tigër prej letre, që nuk mund të garantojë sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Madje Gërvalla shkon përtej kësaj, ajo nënvizoi se BE-ja është vetëdijshme për këtë edhe për këtë arsye “vazhdimisht lëshon pe dhe i ikën konfrontimit”.
“Unë mendoj që ajo nuk është në gjendje dhe nuk ka kapacitet për ta garantuar sigurinë. Arsyet janë të qarta: mungon vullneti politik, mospajtimet brenda Bashkimit Evropian janë të mëdha dhe sa i përket sigurisë, pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre. BE-ja e di këtë dhe prandaj vazhdimisht lëshon pe, i ikën konfrontimit.”
Ajo ka sfiduar të gjithë analistët dhe specialistët të kundërshtojnë këtë konstatim.
Mirëpo këto deklarata kanë shqetësuar opozitën dhe analistwt në Prishtine, të cilët insistojnë se do të largojnë më shumë aleatët, në një kohë kur marrëdhëniet janë të tensionuara për shkak të qëndrimeve që ka mbajtur kryeministri Albin Kurti në lidhje me situatën në Veri.
Njohësi i çështjeve politike, Bleron Baraliu, ka pyetur se si mund t’i shërbej vendit njw person qe i etiketon kolegët dhe aleatët si “pa dhëmbë”.
“Çka mund të fitonte në rastin më pozitiv të mundshëm një diplomat/ministër/KM që etiketon kolegët e aleatëve si ‘pa dhëmbë’?! Më së paku do të nxiste mllefin e tyre – dhe si mund t’i shërbej kjo vendit tonë, sidomos në kohën kur Serbisë po i rriten miqtë e neve armiqtë?!” ka shkruar Baraliu nw njw postim ne facebook.
Një deklaratë të ngjashme, Gërvalla e beri edhe gjatë fjalës së saj në një nga panelet në Forumin e Dubrovnikut, në Kroaci. Mirëpo ajo u kundërshtua ashpër nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së Gabriel Escobar si dhe ai i bashkimit evropian për dialogun, Miroslav Lajcak. Ky i fundit iu kundërpërgjigj diplomates duke theksuar se edhe pse unioni nuk është perfekt, mbetet ëndrra e çdo shteti që i troket derës.