Ben Blushi*
Thanë se do ta mbyllin vitin me 5% rritje ekonomike. Kanë kaluar tre vjet dhe jemi akoma në gjysmë të saj, 2.5% dhe është e papërfillshme. Meqë jemi sot pas tre vjet mandati në njëmijë ditë qeveri qëkurse kemi marrë mandatin, është koha për të bërë një bilanc çfarë ka ndodhur në këto tre vjet.
Në Britani, për kryeministrin që iku thanë se do të mbahet mend se krijoi miliona vende pune në qeveri por a mund të thuhet për ju kjo?!
Shko tek ata kalamajtë në plazh në llucë e thuaju se kemi mbajtur premtimin për 300 vende pune. Është e vërtetë se keni hapur më shumë vende pune, po, por jashtë Shqipërie ,në Gjermani! Qesharakë mbeteni.
Kalojmë në një temë të dashur për mua dhe jo për Rilindjen.
Ka apo s’ka varfëri në Shqipëri? Një temë që është alergjike për të. Se varfëria nuk ekziton ndërsa lumturia shpërndahet.
Po sa shqiptarë sot fitojnë sot më shumë nga dita kur kemi ardhur në pushtet? Sa është fatura sociale në këto tre vjet? Sa të varfër ke nxjerrë nga varfëria? Sa të shtresës së mesme? Jua them unë sa është
Po ashtu, ne kemi një ministër që nuk foli për arsimin. Se po të flasë mund të bëjë një gafë më të madhe se ajo që bëri. Fëmijët shqiptarë nuk shkojnë në shkollë për shkak të dijes, po për shkak të trafikimit. Ata më të mirët penalizohen, se ministria ka ndryshuar praktikën. Nuk pres që ministria ta korrektojë. Se nuk e ka në natyrë.
Po si ka mundësi që në botë luftohet të futen sa më shumë në shkolla ndërsa në Shqipëri sa më pak? Se kjo është tipike e Rilindjes. Se Rilindja të favorizon për dukjen.
Nuk ka ministër Kulture që flet vetëm për ndërtim; flet për politikën. Se nuk ka nevojë ministria e Kulturës të flasë për ndërtim. A një politikë kulturore?
Se 3 milionë këtu, 5 milionë aty… Këtë e bën bashkia, e bën ministria e Ndërtimit.
Kalojmë tek rrugët. Më shumë para harxhohen për suksesin e rrugës se për rrugën. Filmi për rrugën është më i gjatë se rruga. Dikur kur shkoje në kinema ndiqje dokumentarin më parë që ishte më i gjatë se filmi.
E pyeta ministrin e Transporteve në 2014 për rrugët e Elbasanit dhe sot asnjë km në Elbasan nuk ka, se nuk punohet!
Sa pak shpresë duhet të kemi tek ky model ekonomik që përfaqëson Rilindjen që favorizon të pasurit mbi të varfrit. Ky model që vetëm zbukuron por nuk ndërton.
Ky është modeli i Rilindjes. Rilindja është aftësia për të krijuar imazhe pa punuar
Për të shitur pa prodhuar. A ka bërë Rilindja ndonjë gjë që ia vlen të thuhet?!
______________
*Fjala e mbajtur në seancën e sotme parlamentare