Frrok Çupi

Pse nuk po ndjehem më i qetë që kurse lexova lajmin për vdekjen e artistit Dhimitër Orgocka? Orgocka shkoi, shkoi pak si papritur them se këtë verë kur e takova mbahej mirë e recitonte vepra pa fund. Na la edhe një artist, i madh mund të quhet për kombin tonë.

Por lajmi që ende nuk më lë të qetë që nga 1 janari, duket gjëja më e vogël mes dhimbjes për humbjen. Lajmi, botuar në një nga mediat më të mëdha të vendit, fjalë për fjalë, thotë: ‘Dhimitër Orgocka ka luajtur ndër të tjera te filmi ‘Gjeneral Megafoni’. (BalkanWeb, 01 janar 2021, ora 11:57). Ky është lajmi dhe njëkohësisht Mjerimi. Nuk po them se gazetari as media nuk di gjë për veprën e artistit të madh, nuk di se ai ka luajtur jo në një por në 82 role dhe është regjisor në 140 e ca vepra. Ata dinë vetëm një film. Por as një-filmi nuk është gjeneral ‘Megafoni’.

Çfarë më shqetëson kaq shumë? Siç vetë artisti, kam frikë se, pak nga pak, po vdes kultura e kombit. Aty ku ka nisur, aty edhe fillon të vdesë, si njeriu edhe kombi: Te fjala.

Shenja e parë e ‘vdekjes’ së fjalës:

Është thjesht ‘Megafoni’. Truri i medias tashmë është ngarkuar me ‘megafonët’ dhe as ka idenë se një vepër arti në këtë vend është krijuar bash për zgjimin e kulturës kombëtare, dhe kjo vepër  quhet ‘Gjeneral Gramafoni’. Memoria e medias është ngushtuar deri te megafonët e policisë ose megafonët e protestuesve në rrugët e qytetit. Kaq. Dhe po kaq- truri i mijërave që e lexojnë. Pak nga pak fjalori i lajmeve mund të mbetet me as çerekun e fondit që përdor sot shqipja. Gazetaria- veçanërisht, e zhytur në injorancë, ka hyrë me trok në fushën ku rrënon bimën e gjuhës.  Jo vetëm në këtë rast; kjo është asgjë me atë shkatërrim që po kryen në kulturën kombëtare.

Shenja e dytë e vdekjes së historisë së kombit:

Vetë filmi ‘Gjeneral Gramafoni’ sjell një përpjekje gjigande kulturore të apostujve të ‘Krishtit’ të historisë sonë, për të ringjallur vlera të shpirtit të kombit. Ishte viti mes ’30 e ’40- sipas filmit, vetëm 100 vjet më parë, kur vendi kërcënohej të pushtohej nga të huajt; dhe gjëja e parë që do të mbrohej me jetë njerëzish, ishin pllakat e gramafonit me muzikën kombëtare.  Kjo është historia e atij filmi me ‘Gramafonin’, që Vath Koreshi (shkrimtar skenarist) e quajti qëllimisht Gramafonin Gjeneral. Gjenerali- më i fuqishmi, në krye të betejës.

Shenja e tretë e vdekjes, memoria jonë:

A pak na kanë akuzuar të tjerët se ‘nuk mbajmë mend’ as kur nisi shteti, as kur ra shteti; as kush na dhunoi e as kush na dha një dorë… Ato çfarë sot kemi më në pakicë janë Bibliotekat, Arkivat, Udhërrëfyesit dhe mediat…. Jo, jo!, media si numra kemi pa fund, por fatkeqësisht, media që nuk përmbajnë as histori, as kulturë, as shkrim e këndim. Nëse doni të harroni gjuhën shqipe, lexoni sa më shumë nga këto media; aq sa nëse doni t’u deformohet realiteti para syve… Vetë filmi ‘Gjeneral Gramafoni’, ku ka luajtur edhe Orgocka, duket sikur e ka parashikuar se do të vinte një ditë e keqe. ‘Lule! Lulet në këtë vend i hanë gomerët!’, thotë një nga personazhet antipatikë të një filmi prodhuar në atë vit, ‘Koncert në vitin 36’, kur u prodhua edhe ‘Gjeneral Gramafoni’.

Më me fat në këtë ‘story’ do të quheshin ata që nuk janë këtu më për ta lexuar lajmin me ‘Megafonin’. Nuk është as Vathi, as Bujar Lako, as Kadri Roshi, as Sulë Pitarka, as Viktor Gjika…

Këta bënë ‘Gramafonin’, jo ‘Megafonin’. Po kush do me dijtë për këta tani!?..

VERITAS.COM.AL