Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe ndryshimet e fundit në administratën amerikane me ardhjen në pushtet të presidentit Donald Trump, e kanë nxitur vendin më të fuqishëm ekonomikisht në Evropë, por jo edhe në mbrojtje, Gjermaninë, të përgatitet për luftë. Gjenerali i lartë i këtij vend, Carsten Breuer, ka paralajmëruar se Aleanca Veriatlantike duhet të përgatitet për një sulm të mundshëm brenda katër vjetësh. Investimet në mbrojtje ai i sheh urgjentisht të nevojshme. Sipas tij, së paku 100 mijë trupa shtesë do të ishin të nevojshme që Gjermania ta mbrojë veten dhe krahun lindor të NATO-s.
Pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë ka ndryshuar thellësisht mendimin në Gjermani.
Ushtria gjermane, Bundeswehr, kohët e fundit po nxit për një rritje masive të investimeve pasi Parlamenti votoi për të përjashtuar shpenzimet e mbrojtjes nga rregullat strikte të borxhit.
Gjenerali i lartë i vendit i ka thënë BBC-së se rritja e parave është urgjentisht e nevojshme, sepse ai beson se agresioni rus nuk do të ndalet në Ukrainë.
“Ne jemi të kërcënuar nga Rusia. Jemi të kërcënuar nga Putin. Duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta penguar atë”, ka thënë gjenerali Carsten Breuer.
Ai paralajmëroi se NATO-ja duhet të përgatitet për një sulm të mundshëm brenda katër vjetësh.
“Nuk ka të bëjë me sa kohë na duhet, ka të bëjë shumë më shumë me atë se sa kohë na jep Putini për t’u përgatitur. Dhe sa më shpejt të jemi të përgatitur, aq më mirë”, ka thënë gjeneral Breuer.
Për dekada, njerëzit në këtë vend janë rritur me idenë për ta refuzuar fuqinë ushtarake, të vetëdijshëm për rolin e kaluar të Gjermanisë si agresore në Evropë.
“Ne filluam dy luftëra botërore. Edhe pse kanë kaluar 80 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ideja që gjermanët duhet të qëndrojnë jashtë konfliktit ende qëndron në ADN-në e shumë njerëzve”, shpjegon Markus Ziener nga Fondi Gjerman Marshall në Berlin.
Kur bëhet fjalë për Rusinë, Gjermania ka pasur një qasje specifike.
Derisa vendet si Polonia dhe shtetet baltike paralajmëruan të mos afroheshin shumë me Moskën – dhe rritën shpenzimet e tyre për mbrojtjen – Berlini nën ish-kancelaren Angela Merkel besonte në të bërit biznes.
Tani gjener Breuer sheh rrezik në retorikën, siç ka thënë ai, agresive të presidentit rus Vladimir Putin.
Breuer ka theksuar gjithashtu luftën hibride të Rusisë, duke filluar nga sulmet kibernetike te sabotimet, si dhe dronët e paidentifikuar mbi objektet ushtarake gjermane.
“Ndryshe nga bota perëndimore, Rusia nuk po mendon në brenda linjave. Nuk ka të bëjë me kohë paqeje dhe luftë, është vazhdimësi: le të fillojmë me luftë hibride, pastaj të përshkallëzojmë, pastaj të kthehemi. Kjo është ajo që më bën të mendoj se po përballemi me një kërcënim real”, ka shtuar gjenerali gjerman.
Sipas tij, Gjermania duhet të veprojë shpejt.
“Shumë pak nga gjithçka”
Vlerësimi i ashpër i shefit të mbrojtjes për gjendjen aktuale të forcave të tij ndërlidhet me një raport të fundit në Parlament. Bundeswehri, tha ai, ka “shumë pak nga gjithçka”.
Autorja e raportit, komisionerja e forcave të armatosura Eva Hoegl, ka treguar se ka mungesa të mëdha, duke filluar nga municionet te ushtarët, deri te kazermat e rrënuara.
Ajo vlerësoi buxhetin vetëm për punën e rinovimit në rreth 67 miliardë euro.
Sipas gjeneralit Breuer, heqja e kufirit të borxhit, duke lejuar ushtrinë të marrë hua, në teori do t’i japë asaj qasje në një “linjë të qëndrueshme financimi”.
Lëvizja historike u bë nga pasardhësi i pritshëm i Scholzit, Friedrich Merz, i cili e paraqiti propozimin në Parlament pak para se të shpërbëhej pas zgjedhjeve të shkurtit.
Një sondazh i dalë së fundmi nga “YouGov” ka treguar se 79 për qind e gjermanëve ende e shohin presidentin rus Vladimir Putin si “shumë” ose “mjaft” të rrezikshëm për paqen dhe sigurinë evropiane.
Tani 74 për qind thonë të njëjtën gjë për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Ky sondazh u bë pas një fjalimi në Mynih, ku zëvendëspresidenti i Trumpit, JD Vance foli për Evropën dhe vlerat e saj.
“Ky ishte një sinjal i qartë se diçka ka ndryshuar rrënjësisht në Shtetet e Bashkuara”, është shprehur Markus Ziener. “Ne nuk e dimë se ku po shkon SHBA-ja, por e dimë besimin se mund të mbështetemi 100 për qind në mbrojtjen amerikane kur bëhet fjalë për sigurinë tonë – ky besim tani është zhdukur”, ka shtuar ai.
Duke lënë pas historinë
Në Berlin kujdesi tradicional i gjermanëve për të gjithçka që ka të bëjnë me ushtrinë duket se po shuhet shpejt.
18-vjeçarja Charlotte Kreft, thotë se pikëpamjet e saj pacifiste kanë ndryshuar.
“Për një kohë vërtet të gjatë, ne menduam se mënyra e vetme për të kompensuar mizoritë që kryem në Luftën e Dytë Botërore ishte të siguroheshim se nuk do të ndodhte më. Tani jemi në një situatë ku duhet të luftojmë për vlerat tona, demokracinë dhe lirinë. Ne duhet të përshtatemi”, ka thënë ajo.
Ndërsa qytetari tjetër, Ludwig Stein, ka vlerësuar se nevojitet ndryshim në fushën e mbrojtjes.
“Ka shumë gjermanë që ende ndjehen nuk ndihen mirë për investimet e mëdha në ushtrinë tonë. Por, mendoj se duke marrë parasysh gjërat që kanë ndodhur në vitet e fundit, nuk ka asnjë alternativë tjetër reale”, është shprehur ai.
Sophie, një nënë e re, mendon se investimi në mbrojtje tani është i nevojshëm në botën ku jetojnë.
Megjithatë, Gjermania ka nevojë për trupa si dhe tanke.
A është e gatshme Gjermania për luftë?
Bundeswehr ka vetëm një qendër të përhershme, një njësi të vogël të vendosur mes një farmacie dhe një dyqani këpucësh pranë stacionit Friedrichstrasse të Berlinit.
Gjermania ka humbur tashmë një objektiv për të rritur radhët e saj me 20,000 ushtarë, në 203,000 dhe uljen e moshës mesatare nga 34 vjeç.
Por ambiciet e gjeneralit Breuer janë shumë më të mëdha.
Ai ka thënë se Gjermanisë i duhen 100,000 trupa shtesë për të mbrojtur veten dhe krahun lindor të NATO-s në mënyrë adekuate – një total prej 460,000, duke përfshirë rezervat.
Pra, ai këmbëngul se kthimi në shërbimin ushtarak është absolutisht” i nevojshëm.
“Nuk do t’i marrim këta 100 mijë pa një model rekrutimi. Nuk duhet të përcaktojmë tani se çfarë modeli i sjell ata. Për mua është e rëndësishme vetëm që t’i futim ushtarët”, ka thënë ai.
Me mënyrën e tij të lehtë dhe tërheqëse, atij i pëlqen të vizitojë bashkitë rajonale dhe të sfidojë qytetarët atje me një pyetje: “A jeni gati për luftë?”.
Një ditë një grua e ka akuzuar se e kishte frikësuar.
“Unë i thashë: ‘Nuk të tremb unë, është tjetri!’, kujton ai përgjigjen e tij, duke iu referuar Vladimir Putinit.
Alarmi i “zgjimit” – i kërcënimit të Rusisë tani po bie me zë të lartë për Gjermaninë, argumenton gjenerali, sipas të cilit, nuk mund të injorohet.
“Tani është e kuptueshme për secilin prej nesh që duhet të ndryshojmë”, ka shtuar ai.
Komente