GJKKO ka vendosur ditën e sotme me kërkesë të SPAK, të sekuestrojë pasuritë e Monika Kryemadhit dhe të ëmës së saj, Fatime Kryemadhi, rrjedhimisht ish-vjehrra e kreut të PL, Ilir Metës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë GJKKO përmes një njoftimi, ku thuhet se janë sekuestruar dy Rezidenca te ‘Kodra e Diellit’, me sipërfaqe të konsiderueshme.

Sipas njoftimit të GJKKO, ‘Vendimi i Gjykatës së Posaçme është ekzekutuar nga policia gjyqësore në datat 19 dhe 20 Nëntor 2024, duke vendosur bllokimin e pasurive në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe duke ua komunikuar këtë vendim pronarëve të pasurive.’

Kujtojmë se Ilir Meta ndodhet në paraburgim për korrupsion dhe Monika Kryemadhi është nën masën ‘detyrim paraqitje’.

Njoftimi i GJKKO:

Me kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme vendos sekuestro preventive ndaj pasurive të shtetasve F.K dhe M.K

Mbi bazën e kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përmes vendimit nr.640 të datë 15 nëntor 2024, ka vendosur  masën e sigurimit pasuror ‘Sekuestro preventive’ për dy prona në pronësi të shtetasve F.K dhe M.K.

Kjo masë vjen si vijim i veprimeve hetimore dhe proceduriale në lidhje me procedimin penal nr. 122 të vitit 2022. (https://spak.gov.al/njoftim-per-shtyp-date-21-10-2024-2/)

Pasuritë e sekuestruara janë:

Ndërtesë në Selitë, Tiranë me sipërfaqe:  kati përdhes, 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë,

kati nëntokë 139 m2,  kati i parë 79 m2, kati i dytë 51 m2, verande kati i dytë 27.9 m2 – në pronësi të shtetases F.K., me adresë Rezidenca “Kodra e Diellit”.

Ndërtesë në Selitë, Tiranë me sipërfaqe;

kati përdhes 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë,

kati nëntokë 139 m2,

kati i parë 79 m2,

kati i dytë 51 m2, verandë kati i dytë 27.9 m2, në pronësi të M.K.,

me adresë Rezidenca “Kodra e Diellit”.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme është ekzekutuar nga policia gjyqësore në datat 19 dhe 20 Nëntor 2024, duke vendosur bllokimin e pasurive në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe duke ua komunikuar këtë vendim pronarëve të pasurive