Këtë të mërkurë, më 12 nëntor, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) do të zhvillohet seanca paraprake për dosjen e njohur si “Dosja Veliaj”, ku do të vendoset nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim.

Në këtë dosje janë përfshirë 29 të pandehur, mes tyre kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, krahas disa përfaqësuesve të kompanive private dhe organizatave jofitimprurëse.

SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim më 10 shtator 2025, duke ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, mes tyre: Korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave, shpërdorim detyre, si dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli.

Edhe Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.

Sjellim ndërmend se Erion Veliaj u arrestua më 8 shkurt 2025 nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash.

Pas arrestimit, Këshilli Bashkiak e shkarkoi nga detyra më 23 shtator, me 50 vota pro, ndërsa Këshilli i Ministrave e konfirmoi vendimin më 25 shtator.

Më pas, Veliaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e shkarkimit si antikushtetues.

Më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Erion Veliajt, duke e shpallur të paligjshëm shkarkimin e tij nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe Këshilli i Ministrave.

Sipas gjykatës, Veliaj nuk ka kryer shkelje të rëndë, pasi mungesa e tij në detyrë lidhet me arrestimin dhe jo me neglizhencë apo abuzim.

Në të njëjtin vendim, Kushtetuesja shfuqizoi dekretin e presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Tiranë, të planifikuara për më 9 nëntor.

Në seancën e sotme paraprake, GJKKO do të vendosë nëse provat e SPAK janë të mjaftueshme për ta dërguar çështjen për gjykim të plotë. Nëse gjykata vendos ta pranojë kërkesën e prokurorisë, pritet që procesi ndaj Veliajt dhe bashkëpandehurve të tij të nisë brenda këtij muaji.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *