KOMENT/ Ndërsa Gjykatat e shkallëve të ulëta të sistemit gjyqësor kanë mijëra çështje të pa gjykuara, ndryshe ndodh me Gjykatën Kushtetuese. Edhe Gjykata e Lartë, siç është deklaruar, ka rreth 30 mijë çështje të pa gjykuara.

Por Gjykata Kushtetuese, edhe pse nuk është ngritur akoma pas fillimit të procesit të Reformës në Drejtësi, ka gjithsej dy çështje gjyqësore:

E para është kërkesa që ka bërë Ilir Meta, president i republikës për Teatrin Kombëtar.

E dyta është kërkesa e Kuvendit për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit.

Kërkesa e Kuvendit është shpallur se do të bëhet sapo të ngrihet Gjykata Kushtetuese; ndërsa kërkesa e Metës për Teatrin u bë sot.

Presidenti i Republikës, sipas zëdhënësit të Presidencës,  Sh.T.Z Ilir Meta do të shkojë sot në ora 13:00 në Gjykatën Kushtetuese për të depozituar kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Ftohen media të jetë e pranishme me transmetim LIVE!

Kjo ka ndodhur, madje ka ndodhur përmes një nervozizmi dhe konfuzioni që manifestoi Meta para mediave duke artikuluar fraza kundër maxhorancës parlamentare mbi ‘mafiozllëqe’, krim kombetar, mbi padi ndërkombëtare, vjedhje, shkelje kushtetuese, etj. Teatri i vjetër i quajtur Kombëtar do të shembet dhe në vend të tij do të ngrihet një Teatër i ri, siç thonë autorët ‘shumë më i përshtatshëm, modern dhe bashkëkohor’. Por presidenti prej kohësh i është bashkuar protestave të dhunshme të opozitës, kudo ku ndodhin, qoftë edhe në Teatër. Madje kjo është një nga arsyet pse po kërkohet shkarkimi i tij.

Ndërsa çështja e dytë, shkarkimi i Presidentit Meta per shkelje te Kushtetutes, si procedurë, ka nisur dhe pritet që nga tetori të mbërrijë në Gjykatën Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese shkarkon metën, atëherë edhe çështja e dërguar prej tij mbi teatrin  do të gjykohet seriozisht, jo si një ‘punë teatrale’.

VERITAS.COM.AL/