Seanca e parë për mandatin e ministres Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese ka përfunduar.

Në fund të diskutimeve, trupi gjykues është tërhequr dhe ka dalë me vendimin se i duhen 30 ditë kohë për të vendosur.

Seanca nisi në orën 10:00.

Përfaqësuesi i PD-së, Marsh Logu ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese do të detyrojë Kuvendin që ta çojë në gjyq mandatin e Xhaçkës, ndërsa pala tjetër kundërshton. Përfaqësuesja e Kuvendit pretendon se kërkesa e Partisë Demokratike nuk ka përmbushur as kriteret formale që duhen.

Opozita pretendon se deputetja Xhaçka është në konflikt të hapur interesi, sepse kompania e bashkëshortit të saj Artan Gaçi dhe ajo vetë, kanë përfituar pasuri publike shtetërore, gjatë investimit në një objekt turistik.

Ndërsa sipas socialistëve, ky rast nuk ka të bëjë me konflikt interesi, dhe propozojnë në raportin e tyre, që mocionet e opozitës të mos i përcillet Gjykatës Kushtetuese, sepse shoqëria e bashkëshortit të deputetes Xhaçka do të ndërtojë me leje në një truall privat dhe nuk ka ndonjë kontratë me institucione për të përfituar nga prona publike.

Në nëntorin e kaluar, grupimi Berisha dhe ai i Alibeajt depozituan në Gjykatën Kushtetuese dy padi të ndryshme, ndonëse kërkesat ishin të njëjta.

Deputetët e PD-së kundërshtonin vendimin e Kuvendit që refuzoi heqjen e mandatit parlamentar të Olta Xhaçkës, për papajtueshmëri sipas tyre me Kushtetutën.

Ndërkohë, Kuvendi miratoi me 73 vota pro dhe 21 kundër, raportin e mazhorancës socialiste që konstatonte se përfitimet si sipërmarrës të bashkëshortit të ministres së Jashtme, nuk e vendosnin Olta Xhaçkën në kushtet e papajtueshmërisë me mandatin parlamentar.