Në kushtet kur ligjet mbi aplikimin e Reformës në Drejtësi kanë “mbetur rrugës” për arsye procedurash ligjore dhe parlamentare,  Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të ndërhyjë sipas kapaciteteve të saj për të mos lejuar boshllëk pas “shkrirjes” së Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD).

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk do të krijohet hapësirë bosh mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe kryetarit të tij;  presidenti Bujar Nishani do të vijojë të jetë në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, deri në fund të mandatit. Edhe pse më 12 mars KLD pushoi së funksionuari sipas afateve ligjore, dje Gjykata Kushtetuese ka vendosur që ky organ të vijojë të jetë në funksion.

Gjykata ka zbardhur dje vendimin për ligjin për prokurorët dhe gjyqtarët, të cilit iu rrëzuan 22 nene në seancën e 10 marsit. Gjithashtu kjo gjykatë ka vendosur që të mos ketë “shkrirje” të KLD deri në ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Ligji për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë  kishte ndërprerë mandatin e KLD. Në nenin 277 pika 1, specifikohet që anëtarët e KLD humbasin mandatin e tyre në momentin që ngrihet Këshilli i Lartë Gjyqësor, mirëpo është vendosur një afat, pasi sipas tij, kjo gjë nuk mund të ndodhë më vonë se 8 muaj nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese. Sipas afateve të përcaktuara në ligj, i binte që më 11 mars 2017, KLD do të pushonte së ekzistuari. Mirëpo Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos krijojë boshllëk.

/Veritas.com.al/