Duke e cilësuar si një vendim në nivelet e skandalit, Alibeaj bëri të ditur se do të ketë kallëzim penal për gjyqtarin Agron Zhukri.
Ky i fundit sipas tij ka nxjerrë një vendim pa dosje dhe fakte dhe pa patur palët. Sipas tij që një vendim të ketë efekt, palët duhet të jenë prezent dhe kjo iu është mohuar nga gjykata.
Sakaq ai ka vijuar se dosjet janë në Gjykatën e Apelit dhe për rrjedhojë gjyqtari, sipas tij nuk i ka poseduar këto prova.
“Janë element që për këdo i lind e drejta të paraqesë një kallëzim penal për shpërdorim detyre të gjyqtarit”, theksoi Alibeaj.
Zhukri sipas Alibeajt ka treguar anësinë e tij në këtë vendim.
“Gjyqtari vetë ka deklaruar njohjet e veta anësinë e vet në këtë proces. Në tejkalim të ligjit ka marr në shqyrtim çështjen. PD ka bërë ankim për regjistrimin e kuvendit të 18 dhjetorit, është i fundit që PD ka realizuar”.
I pyetur nga gazetarët nëse do të lërë detyrën, Ailbeaj u shpreh se PD-ja do të presë vendimin final të Gjykatës pas ankimimit.
Kujtojmë që gjyqtari Zhukri ka njohur ligjërisht punimet e Kuvendit të thirrur nga Berisha më 11 dhjetor, nga ku o formua dhe Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së.
Nga ky i fundit u miratuan disa ndryshime statutore dhe shkarkimi i kreut të PD-së Lulzim Bashës.
Tanimë kemi dy njohje të statuteve të PD-së, pasi më 18 mars u njohën vendimet e Kuvendit të PD-së të mbajtur më 17 korrik.
Kjo do të thotë se, çdo akt i organeve të PD-së, i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të Statutit të 11 dhjetorit.
Konkretisht, bie vendimi i Bashës, i cili një ditë përpara fillimit të punimeve të Legjislaturës së re – më 9 shtator 2021 – përjashtoi Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së. Ky vendim i Bashës erdhi pas shpalljes së ish-kryeministrit dhe fmailjes së tij si persona non-grata nga SHBA-të.
Pikërisht ky vendim i Departamentit Amerikan të Shtetit, më 19 maj të vitit 2021, do të sillte një përçarje “të thellë” të demokratëve.
Por, si kundërpërgjigje ndaj “përjashtimit nga Basha”, Berisha nisi menjëherë një aksion duke mbajtur një seri foltoresh për të mbledhur firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.
Disa nga ndryshimet statutore të 11 dhjetorit
Në Statut parashikohet edhe një nen i veçantë për procesin e zgjedhjeve. Procesi nis me krijimin e organeve të reja dhe paraprihet nga një proces anëtarësimesh të reja dhe verifikimin e anëtarësisë ekzistuese.
Po ashtu, ndryshimet në Statut përfshijnë gati një parti të re, duke zhbërë strukturat drejtuese që ishin, me shkarkim të nënkryetarëve, me logo dhe vulë të re të partisë.
Organet qendrore të partisë, përveç Kuvendit Kombëtar, ndalohen të ushtrojnë kompetencat deri më 22 mars 2022.
Po ashtu është shpallur pavlefshmëria e konstituimit të Kryesisë së PD, rrjedhimisht konsiderim nul të Kryesisë.
Një vendim tjetër është pavlefshmëria e vendimit të Kryesisë së partisë për mbajtjen e Kuvendit më 18 dhjetor.
Komisioni i Rithemelimit të PD-së, do të jetë përgjegjës për organizimin dhe fillimin e proceseve referendare e zgjedhore në PD.
Thirrjen e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike më 22 mars 2022- datë e cila është shtyrë për më 30 prill.
Votimin për shkarkimin e Bashës, i cili tanimë ka dhënë dorëheqjen.