Hagë- James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, pritet të nis sot dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Seanca në Dhomat e Specializuara të Kosovës – me seli në Hagë të Holandës – do të nisë në orën 9:00, ndërkaq për publikun transmetohet me 45 minuta vonesë në faqen zyrtare të gjykatës.

Ky është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit e cila ka parashikuar që në gjykatë të sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Bashkë me Thaçin dhe Krasniqin, në Hagë po gjykohen edhe ish kreu i Kuvendit, Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Avokatët e tyre nuk synojnë të paraqesin dëshmi mbrojtëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës.

Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *