Në seancën e radhës ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, avokatët e tij këmbëngulën edhe njëherë që pyetja e 5 shtetasve amerikanë për llogari të procesit, të behet përmes videokonferencës.

Në të kundërt, avokatët i kërkuan gjykatës të autorizojë prezencën e gjeneral major Andrey Turley, avokat penalist, si përfaqësues i Mediut gjatë ekzekutimit të letërporosisë.

Po ashtu, ata kërkuan edhe mundësinë e autorizimit për prezencën e njërit prej tyre.

Kërkesa e avokatëve për videokonferencë u mbështet edhe nga prokurorët e SPAK, nëse ishte i mundur realizimi i saj.

Gjatë seancës ku vetë i pandehuri Mediu nuk ishte i pranishëm, pati debate të forta mes palëve në lidhje me mosmarrjen e një vendimi nga gjykata për pyetjen e ekspertëve që kanë përgatitur akt-ekspertimin financiar.

“Prokurorët na treguan akt-ekspertimin, por nuk na thanë çfarë provon ajo për Mediun”, tha avokati Henrik Ligori.

“Ky është një proces shterpë, që nuk pjell dot fajësi. Është proces me vese procedurale”, u shpreh avokati tjetër, Ardian Visha.

Gjykata u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit, e pak minuta më vonë deklaroi se rrëzoi kërkesën e avokatëve të Fatmir Mediut për pyetjen e 5 dëshmitarëve me videokonferencë.

Pyetja e tyre do të zhvillohet përmes letër porosisë, ku marrja në pyetje do të bëhet nga agjentë të FBI-së, por gjykata do të autorizojë një përfaqësues ligjor të Mediut të marrë pjesë në seancat e pyetjeve.