Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me vendimin e gjykates se Arbitrazhit ku Shqipëria humbi gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015.  Rama është shprehur i neveritur nga gëzimi i Presidentit Ilir Meta  dhe PD-së duke e cilësuar si të parakohshëm, pasi Shqipëria do të vazhdojë betejën e saj ligjore kundër Francesco Becchetti, të cilin e cilëson si marifetçi.

Rama tha se Shqipëria ka fituar 3 nga 4 gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu, ndërsa vendimin e arbitrazhin e konsideron të padrejtë.

“Gëzimi i Ilir Metës dhe i Lulepartisë për vendimin e padrejtë të arbitrazhit në favor të një individi që kërkohet nga drejtësia shqiptare është sa i neveritshëm, aq dhe i parakohshëm! Shqipëria ka fituar tre nga katër gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu dhe beteja vazhdon!

Gëzimi sharlatanesk i Presidentit mendjehumbur dhe i partisë që për pushtet po infekton përditë shqiptarët, do të zgjasë pak dhe ata do të humbasin, jo Shqipëria! E cila siç po fiton mbi Armikun e Padukshëm, do të fitojë edhe mbi Marifetçiun e Paskrupullt”, shkruan Rama

VERITAS.COM.AL