Sektori i bujqësisë ka shënuar rritje të ndjeshme, duke përmbysur raportin mes eksportit dhe importit. Në një takim me fermerë dhe sipërmarrës të bujqësisë në Elbasan, ku u diskutua buxheti prej 16.3 miliardë lekësh për mbështetjen e sektorit, Rama theksoi se rezultatet janë fryt i reformave të tre mandateve të fundit. Sipas tij, prodhimi i serave është trefishuar krahasuar me tre mandate më parë, duke arritur një sipërfaqe prej rreth 2200 hektarësh, ndërsa prodhimi i perimeve i është afruar 1.5 milion tonëve.

“Është mandati më i vështirë i qeverisjes  por këtë peshë na e kanë bërë më të lehtë shqiptarët dhe ata që na kanë dhënë 83 mandate për të kryer me sukses negociatat në BE dhe t’i vendosim vulën europiane transformimit të nisur 3 mandate më parë. Tre mandate më parë, nga kur sot kemi trefishuar prodhimin e serave dhe, si rezultat, kemi faktikisht rritur ndjeshëm konkurrueshmërinë në një sipërfaqe serash që sot ka prekur 2200 hektarë. 3 mandate nga kur kemi arritur të rrisim prodhimin e perimeve që i është afruar 1500 milion tonëve”.

Sipas tij në 9-mujorin e parë të këtij viti eksportet bujqësore kanë arritur një vlerë më të lartë se e gjithë vlera e vitit të kaluar dhe duke iu afruar objektivit prej gjysmë miliard eurosh.

“3 mandate nga ku eksportet janë rritur dhe diversifikuar, duke kapur një vlerë që këtë vit, vetëm në 9-mujorin e parë, është më e lartë sesa e gjithë vlera e vitit të shkuar dhe duke u afruar të përmbushim gjysmë miliard euro eksporte. Kemi përmbysur raportin e eksporteve me importet, që e kemi gjetur një eksport me 7 importe dhe sot jemi në 1 me 3, duke vazhduar të shkojmë drejt tendencës ulëse dhe të arrijmë objektivin e 1 eksport dhe 2 importe kur vjen puna te prodhimi bujqësor”, tha Rama.

Ai theksoi se fondi i Skemës Kombëtare është pothuajse dyfishuar dhe se pagesat direkte për fermerët do të mbyllen 100% brenda këtij viti.

“Është me rëndësi që kemi sot një buxhet për vitin e ardhshëm jo thjesht më të lartë, por shumë më të lartë krahasuar me buxhetin e këtij viti. Vetëm në skemën kombëtare shkojmë me një buxhet që është gati dyfishi i vitit që po përfundon. Ndërkohë, e tha ministri, për sa i përket skemës direkte, të gjitha pagesat do të mbyllen brenda këtij viti 100%”.

Rama theksoi rëndësinë e partneritetit mes fermerëve, qeverisë dhe pushtetit vendor, si dhe rolin kyç të dijes dhe Universitetit Bujqësor në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.

“Kam besim që, nëse dijen e përfituar së bashku me dijen e një vatre që do të jetë gjithmonë më e rëndësishme për bujqësinë, ekonominë dhe zhvillimin, që është Universiteti Bujqësor, do t’i bëjmë së bashku dhe do t’i vendosim në funksion të politikave”, tha Rama

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *