Gjatë natës së mbrëmshme, një makinë e patrullimit të Policisë është përplasur nga një makinë luksoze që vinte me shpejtësi shumë të madhe. Makina e Policisë është përmbysur dhe njëri nga tre efektivët ka humbur jetën. Ervin Haxhia, polici që ka humbur jetën, ndodhej në makinën e policisë bashkë me dy kolegë të tij, të cilët tashmë ndodhen në n kujdesin mjekësor të plagosur rëndë. Edhe drejtuesi i makinës që shkaktoi fatkeqësinë, është plagosur rëndë.

Mësohet se makina tip “Lexus”, drejtohej nga Arnold Kola, djali i ish- deputetit të Partisë Socialiste, Ndue Kola. Një ditë më pas, policia raporton se 22 vjeçari mund të ketë qenë duke lëvizur me 150 kilometra në orë.

Besim Voja, një prej kolegëve të policit që mbeti viktimë në aksidentin e djeshëm nga goditja e furgonit të policisë në Kamëz, tregon momentet e ngjarjes. Voja ndodhet ne spital por tepër i përhumbur. Nuk mban mend shume nga ngjarja, por ato pak minuta nuk ngurron t’i rrëfejë.

Voi tha se së bashku me shokët Ervin Haxhia dhe I. Hoxha ishin duke patrulluar me makinë, kur furgoni i policisë u përplas.

“Kemi qenë duke ecur kur morëm një goditje të fuqishme nga mbrapa. Nuk e kuptuam kur dhe si na erdhi goditja. Furgoni ynë pësoi dy rrotullime në vend. Kur më nxorën nga makina e policisë, pashë dy kolegët e shtrirë. Nuk mbaj mend shumë gjëra….patrullonim shpesh në këtë segment”, ka deklaruar në dëshminë e tij.

Sot në mëngjes, kryetari i Patisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllimet pranë familjes Haxhia për humbjen e njeriut të tyre të dashur.