Në asamblenë e zgjeruar të PS-së në Fier, kryeministri Edi Rama u ndal dhe foli edhe për drejtësinë. Rama theksoi se për shkak të reformës në drejtësi dhe punës që është bërë nga forcat e rendit, shteti është sot në një fazë revanshi të rëndësishëm ndaj krimit të organizuar.
Sipas Ramës, krimi i organizuar, nga i shtrirë këmbëkryq në vendin tonë, është tkurrur në vatra të caktuara.
“Kjo nuk është diçka që bëhet se do ta bësh ti dhe e bën. Kjo është diçka që kërkon shumë kohë, kërkon shumë durim, kërkon shumë sofistikim. Krimi i organizuar, ishte i shtrirë këmbëkryq në të gjithë territorin. Sot është tkurrur në vatra të caktuara. Por me krijimin e SPAK-ut dhe me fokusimin tani të dyja palëve, se deri dje thuhej policia, policia, policia, por aleati më i madh i krimit të organizuar në Shqipëri ka qenë prokuroria dhe gjykata”, u shpreh Rama.
Pasi paralajmëroi se të gjitha ato vatra do të shuhen, Rama u shpreh se arrestimet e fundit të “kokave” të larta të krimit tregon se po vjen fundi i asaj që njihet si “bota e nëndheshme”.
Çfarë keni parë në periudhën e fundit me arrestime figurash profilesh të larta të krimit të organizuar është vetëm fillimi i fundit, që do të thotë ka filluar fundi i pozicionit të privilegjuar të krimit të organizuar në zona të caktuara të Shqipërisë. Do të jetë shumë e afërt koha, nuk flas për dekada, flas për një kohë të shkurtër, kur të gjitha këto vatra do shuhen dhe të gjithë ata që i përkasin asaj bote dhe që do kenë kurajo të rrinë në Shqipëri se një pjesë ia kanë mbathur, do përfundojnë aty ku kanë filluar të shkojnë ata që janë provat e para të gjalla se si këtu nuk ka asnjë kompromis me krimin e organizuar dhe këtu këtë luftë që e kemi filluar dhe e kemi zhvilluar me 1001 vështirësira 10 vjet më parë do ta fitojë shteti dhe do ta fitojë pa kthim. Natyrisht nuk ka vend demokratik pa krim.
Nuk ka vend demokratik ku mos ketë dhe struktura të krimit të organizuar se zhdukja përfundimtare e krimit është diçka që nuk e ka arritur asnjë vend në botë, por ama një epokë e gjatë të fortësh me statuse speciale në botën e krimit të organizuar do mbyllet pa kthim. Nëse për krimin e organizuar përdoret shprehja ‘bota e nëndheshme’, ata do kenë bishtat e tyre, do kenë jetët e tyre, por jo më mbi dhe, nën dhe. Mbitoka e Shqipërisë do të jetë e qytetarëve shqiptarë, pastaj lufta e shtetit me krimin e organizuar do të bëhet me minjtë e nëntokës dhe jo nëpër mexhelise dhe jo deri edhe nëpër fonde publike. Kjo është mbase pak, për mua është shumë, por është një nga gjërat më të sigurta. Koha shumë shpejt do të flasë për këtë që po them”, u shpreh Rama.