Pamjet e kamerave të sigurisë në aeroportin e Kala Lumpur në Malajzi, kanë zbuluar imazhet e femrës që dyshohet se është dërguar nga diktatori koreano-verior, Kim Jong-un për të vrarë vëllain e tij playboy.

Pamjet e publikuara nga mediat tregojnë të dyshuarën për vrasjen, e veshur me një bluzë të bardhë, ku shkruhet LOL (lot of laugh- qesh shumë).

Gruaja po priste një taksi në terminal. Policia thotë se ka arrestuar një grua nga Burma, por nuk dihet nëse ajo ka lidhje me vrasjen.

Kim Jong-nam u vra nga dy agjente, që e sulmuan nga pas me një sprei helmues.

46-vjeçari, që e kishte etiketuar regjimin e vëllait të tij më të vogël një ‘shaka’, u helmua teksa po priste avionin. Ai humbi jetën rrugës për në spital. Dyshohet se agjentet e spërkatën me kimikatin toksik në fytyrë.

Koreja e Jugut ka konfirmuar vrasjen. Seuli thotë se kjo ilustron natyrën brutale dhe çnjerëzore të regjimit komunist.

Kim Jong-nam, djali më i madh i Kim Jong-il, dikur shihej si pasuesi i babait, por e humbi mundësinë pasi u kap teksa tentonte të hynte në Japoni me një pasaportë false me qëllim vizitën në Disneyland.

Që prej asaj kohe ai ka jetuar në mërgim.

Në vitin 2012 pati një përpjekje të dështuar për eliminimin e tij.

Ai i dërgoi një letër vëllait, duke i shkruar: “Të lutem, më kurse mua dhe familjen time. Nuk kam ku shkoj, vetëm të vras veten”.

Jong-nam jetonte kryesisht në Makau të Kinës.

Mendohet se vrasja e tij është urdhëruar nga vëllai 33-vjeçar, që e shihte si kërcënim për pushtetin e tij.

/Veritas.com.al/