Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes kanë përgënjeshtruar pretendimet për përfshirjen e Shqipërisë në një sulm me dronë detarë ndaj një luftanijeje ruse pranë brigjeve të Libisë. Pretendimi është publikuar nga platforma Clash Report dhe më pas është shpërndarë nga Visioner, ku thuhet se dronët janë nisur nga territori shqiptar dhe kanë përshkuar mbi 800 kilometra në Detin Mesdhe.

Sipas autoriteteve shqiptare, këto raportime nuk shoqërohen me prova të verifikueshme që të vërtetojnë vendnisjen e dronëve apo identitetin e operatorëve. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se Forcat e Armatosura të Shqipërisë nuk kanë kryer, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ofruar asnjë mbështetje për një operacion të tillë.

Autoritetet theksojnë se duhet bërë dallimi mes raportimeve për sulmin ndaj anijes ruse dhe pretendimeve për origjinën e dronëve. Sipas tyre, fakti që një sulm ka ndodhur nuk përbën provë se ai është organizuar apo realizuar nga territori shqiptar.

Ministria e Mbrojtjes e cilëson lidhjen e Shqipërisë me këtë operacion si të pabazuar dhe çorientuese, duke bërë thirrje për kujdes në publikimin dhe shpërndarjen e informacioneve që lidhen me çështjet e sigurisë, veçanërisht kur ato nuk mbështeten në fakte të verifikuara.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *