Drilona Duriçi, humbi jetën në mënyrë aksidentale në ashensorin e pallatit ku banonte në zonën e Freskut në kryeqytet. Në këtë përfundim ka dalë Prokuroria e Tiranës, dhe në mungesë të personave përgjegjës për ngjarjen tronditëse, vendos ta arkivojë dosjen.
Burime nga Prokuroria thanë se, pasi u administruan aktet e ekspertimit të Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, dhe të Inspektoratit të Shërbimit Teknik Industrial, u konkludua se bëhej fjalë për ngjarje aksidentale dhe se askush, qoftë individ apo shoqëri, nuk mund të bëhej përgjegjës për vdekjen e gruas.
Ekspertët i thanë Prokurorisë se ashensori ishte jashtë çdo kushti teknik, dhe se pallati nuk kishte administrator, që të kujdesej për shërbimet.
Gjithashtu, u vërtetua se zjarri nuk u shkaktua nga ndonjë faktor i jashtëm, por si pasojë e djegies së droselit të ashensorit e që më pas flakët u përhapën gjithandej.
Duke u ndodhur përballë fakteve të tilla, katër muaj pas ditës kur nëna e një fëmije humbi jetën, prokurorët vendosën të mos regjistrojnë procedim penal, pasi nuk kishin asnjë të dyshuar, mbi të cilin mund të shtrinin hetimet.
Drilona Duriçi gjeti vdekjen mes flakëve që përfshinë papritmas ashensorin e pallatit ku gruaja banonte.
Gruaja po kthehej në apartamentin e saj, pasi kishte përcjellë të birin për në shkollë.
/Veritas.com.al/