Ish-Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski u dërgua me pranga në duar në një gjykatë në Hungari mëngjesin e kësaj të enjteje.
Aktualisht po zhvillohet seanca gjyqësore në Budapest, ku pritet të vendoset për ekstradimin ose jo të tij në Maqedoninë e Veriut, raporton Klan Maqedonia. Ish-Kryeministri maqedonas u paraqit në gjykatë me kapele dhe me syze. Për momentin, seanca gjyqësore zhvillohet me dyer të mbyllura pa praninë e mediave.
Shkupi zyrtar kërkon ekstradimin e Gruevskit për të vuajtur dënimin me 2 vite burgim pasi është dënuar nga gjykata për blerjen e makinës së blinduar “Mercedes” në rastin e quajtur “Tanku”.
Nikolla Gruevski u arratis nga Maqedonia e Veriut në Nëntor të vitit 2018, duke kërkuar azil politik në Hungari.
UPDATED:
Gjykata hungareze ka vendosur që të mos ekstradojë në Maqedoninë e Veriut ish-kryeministrin Nikolla Gruevski.
“Kushtet për ekstradim nuk janë te vlefshme”, – tha gjykatësja.
Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut kërkon ekstradimin e Gruevskit me qëllim që ai të vuajë dënimin me burg për lëndën “Tanku” të PSP-së, por edhe për organizimin e incidenteve në Kuvend më 27 prill 2017./
Veritas.com.al/