Ka përfunduar mbledhja e parë e grupit të dialogut për ‘reformat’, e cila u krijua pas dakordësisë së arritur mes PS dhe Rithemelimit.
Gazetarja e ABC News, Esiona Konomi raporton se mbledhja zgjati më pak se një orë, teksa është konsistuar grupi i punës për ligjet që kërkojnë shumicë votash.
Në tryezë nuk pati çështje konkrete, ndërsa u dakordësua që në mbledhjen e radhës, palët të vijnë me listë çështjesh, për të cilat kërkohet konsensus.
“Ishte më pak se një orë takimi i këtij grupi pune për çështje që kërkojnë konsensus. Kjo tryezë sot nuk u mor me çështje konkrete. Prioritet është reforma zgjedhore por lanë detyrë që në takimin e dyte të vijnë me një listë çështjesh. Lanë të hapur mundësinë që dakordësia të bëhet mes Bardhit dhe Çuçi”, raportoi ndër të tjera gazetarja Konomi.
Grupi i dialogut ka 3 anëtarë nga mazhoranca dhe 3 nga opozita. Ndërkaq, PD e Bashës ka refuzuar që të përfaqësohet në këtë grup pune.