Intervista në Radio ‘Europa e Lirë’.

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn është shprehur pro një rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe madje në afatin e paracaktuar, pra qershor.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Hahn deklaroi se reforma në dejtësi e Shqipëri duhet të shpërblehet dhe se po punohet fort për të marrë dritën jeshile për të nisur përgatitjen përfundimtare të negociatave.

Duke u ndalur te Ballkani Perëndimor, a mendoni se Maqedonia e veriut dhe Shqipëria do t’i fillojnë negociatat e pranimit në BE në dhjetor të këtij viti?

Po përpiqem të bëj çmos për ta arritur këtë qëllim. Së pari kemi nevojë për dritën e gjelbër për të filluar përgatitjen përfundimtare të negociatave dhe pastaj është përsëri një procedurë me bazë meritore. Dhe sigurisht që na nevojitet pëlqimi i të gjitha shteteve tona anëtare.

A mendoni se duhet të marrin dritën e gjelbër në tetor, në vend të qershorit të këtij viti?

Ka disa diskutime por unë jam i përqendruar për të siguruar një vendim para verës, sepse ky ishte gjithmonë qëllimi ynë. Ne do të paraqesim raportin tonë vjetor për dy javë, ku me siguri do të japim një vendim pozitiv për të dyja vendet. Natyrisht ka gjithmonë disa punë që duhet të bëhen. Por, unë mendoj, sidomos kur është fjala për Maqedoninë e Veriut, se duhet të pranojmë përparimin e madh që ky vend ka bërë në tejkalimin e konflikteve dypalëshe, që është parakusht për anëtarësimin e ardhshëm në BE.

Gjithashtu reforma e gjyqësorit në Shqipëri është diçka që duhet të shpërblehet. Pra, në këtë drejtim, mendoj se kjo vlerësohet në mënyrë pozitive nga shtetet tona anëtare.

Shohim disa raporte shqetësuese nga vende të tjera. Holandezët duan të pezullojnë liberalizimin e vizave për Shqipërinë. A mund t’i adresoni këto shqetësime të holandezëve?

Ekzistojnë këto kontrolle të rregullta për numrin e atyre që ne i quajmë azilkërkues të pafinancuar. Unë mendoj se këto shifra, në krahasim me numrin e përgjithshëm të njerëzve që udhëtojnë në këtë vend, janë shumë të vogla. Sidoqoftë, është diçka që kam diskutuar vazhdimisht me partnerët e mi në Shqipëri, por edhe në disa vende të tjera. Kjo duhet të trajtohet tërësisht nga autoritetet shqiptare, që do të thotë se ato duhet të komunikojnë. Ato duhet të informojnë popullit se të gjitha këto nisma janë pa ndonjë mundësi për t’u konfirmuar pozitivisht nga këto vende.

Veritas.com.al/