Instituti i Statistikave ka pranuar se ditën e djeshme, 31 janar 2024, ka rënë pre e një sulmi kibernetik.
Fillimisht, ishte grupi “Homeland Justice” që reagoi në rrjetin social “Telegram”, duke njoftuar se ka ndërhyrë në sistemin elektronik të INSTAT.
Megjithatë, në reagimin zyrtar INSTAT thekson se nuk është prekur asnjë e dhënë sensitive dhe janë parandaluar dëmet e mundshme nga ky sulm, duke vënë theksin edhe tek të dhënat e Censusit të regjistrimit të popullsisë.
“INSTAT informon opinionin publik se në datën 31 janar 2024, sistemet e saj informatike kanë qenë objekt i një sulmi kibernetik të sofistikuar.
NSTAT ka reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm për të parandaluar dhe minimizuar dëmet e mundshme nga sulmi. INSTAT ka ndërprerë menjëherë lidhjet e internetit dhe ka aktivizuar protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore”, thuhet në njoftim.
Pavarësisht reagimit, nënvizohet se disa nga sistemet e INSTAT janë ndikuar nga sulmi.
Po ashtu, INSTAT ka kërkuar ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë të sigurisë kibernetike për të kryer një hetim mbi dëmet e këtij sulmi kibernetik.
INSTAT është vetëm një nga disa institucione në Shqipëri që kanë rënë herë pas here pre e sulmeve kibernetike.