Faqet në internet të Autoritetit të Mediave AudioVizive (AMA) dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) janë sulmuar nga grupi i hakerave shqiptarë, Anonymous Albania.

AMA dhe AKEP janë dy strukturat që marrin fuqi të reja mbi median online, me miratimin e pritshëm të paketës anti-shpifje, por shoqatat e gazetarëve e konsiderojnë këtë veprim si sulm ndaj medias dhe përpjekje të Qeverisë për ta kontrolluar atë.

Në reagimin e Anonymous Albania theksohet se këto dy organe nuk mund të ndalojnë lirinë e fjalës në Shqipëri.

“Autoriteti Mediave Audiovizive (AMA) është sulmuar nga ne sepse AMA pretendon se ka të drejtën të mbyllë mediat edhe t’i gjobisë ato. Por AMA s’ka asnjë të drejtë të bllokojë faqet online në internet apo edhe t’i gjobisë ato. AMA s’ka të drejtë të ndalojë lirinë e fjalës, sepse Shqipëria është një shtet demokratik! Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) të tërhiqet nga kjo padrejtësi që po bën Qeveria duke kërcënuar gazetarët. Anonymous Albania do të mbrojë lirin e fjalës dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri”, thuhet në reagim.

Veritas.com.al/