Nga Keida Kostreci/ Zëri i Amerikës/

Robert Hand, këshilltar politik i Komisionit të Helsinkit, flet për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe se po të ishte qytetar shqiptar do të ishte i skandalizuar se si i shpëtojnë ndëshkimit zyrtarët më të lartë të vendit. Akuza se udhëheqësit politikë të Shqipërisë lobojnë në SHBA për interesat e tyre dhe jo për të mirën e vendit

Një njohës i hershëm i zhvillimeve në Shqipëri, thekson se hapja e negociatave me BE-në, do t’i krijojë mundësi Bashkimit Evropian të kërkojë më me këmbëngulje kryerjen e reformave në vend. Robert Hand, këshilltar politik i Komisionit të Helsinkit, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, tha se po të ishte një qytetar shqiptar do të ishte i skandalizuar se si i shpëtojnë ndëshkimit zyrtarët më të lartë të vendit. Zoti Hand tha gjithashtu se udhëheqësit politikë të Shqipërisë lobojnë në SHBA për interesat e tyre dhe jo për të mirën e vendit dhe se të gjitha vendet e rajonit, duhet ta marrin seriozisht rrezikun e ndikimeve të huaja, si ato të Rusisë dhe Turqisë.

Zëri i Amerikës: Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë. Rekomandimi shkaktoi debat lidhur me faktin nëse Shqipëria është gati apo jo për rrugën drejt anëtarësimit. Si mendoni ju, a është gati?

Robert Hand: Mendoj se ka një shkallë arbitrariteti dhe subjektiviteti nga ana e Brukselit lidhur me vendimin se kur fillojnë negociatat, kështu që përveç faktit nëse Shqipëria është gati apo jo, Brukseli ka mundësi që të ketë dashur t’i dërgojë një sinjal Ballkanit, që zgjerimi është tani përsëri në tryezë dhe se Brukseli dëshiron të punojë me vendet e rajonit dhe t’u japë atyre një drejtim evropian. Pra mendoj kjo është më shumë arsyeja pse po e bëjnë tani, dhe jo sepse Shqipëria ka arritur të njëjtin nivel përparimi, që kishin vendet e tjera, kur hapën negociatat. Megjithatë është e qartë mendoj unë që nuk ka konsensus për këtë vendim në Evropë.

E di nga vizita e kryeministrit (Edi) Rama në Gjermani, që nuk pati premtim për të mbështetur rekomandimin e Komisionit Evropian, pati një farë hezitimi, duke vënë në diskutim nëse Shqipëria është gati apo jo. Sipas mendimit tim, rekomandimi i Komisionit Evropian është diçka pozitive dhe shpresoj që të fillojnë negociatat për kapituj të ndryshëm, por shpresoj që duke e bërë një gjë të tillë, Bashkimit Evropian t’i rritet ndikimi ndaj Shqipërisë për të kërkuar me këmbëngulje kryerjen e reformave në vend. Dukej sikur BE-ja po humbiste ndikimin dhe mendoj se kjo mund t’ia rrisë ndikimin ndaj Tiranës për të nxitur për programin e reformave dhe shpresoj që ta mbajnë Tiranën përgjegjëse për të gjitha kushtet që duhen plotësuar për t’i mbyllur kapitujt. Kjo do të jetë më kryesorja.

Zëri i Amerikës: Pra ju e shihni këtë proces me dy paralele: nga njëra anë dhënia e një shansi nga ana e Brukselit ndoshta për arsyet e veta pragmatike, disa prej të cilave mund të kenë të bëjnë me Ballkanin dhe disa me realitetin e ri në Evropë dhe nga ana tjetër ushtrim trysnie?

Robert Hand: Pikërisht për këtë e kam fjalën. Dhe nga koha kur Komisioni Evropian e bëri këtë rekomandim deri në qershor kur vendet anëtare duhet të vendosin, në vend që të përpiqen ta shesin këtë në vendin e vet në Shqipëri duke thënë “do t’i hapim negociatat”, dhe të shkaktojnë zhgënjim nëse kjo nuk realizohet, mendoj se si qeveria ashtu edhe opozita duhet të përpiqen të punojnë së bashku për të ndërmarrë hapa që do ta bënin të mundur për vendet anëtare, që kur të takohet Këshilli të bien dakord për hapjen e negociatave.

Jam pak i shqetësuar kur dëgjoj kryeministrin Rama të thotë që nëse (BE-ja) nuk e bën tani, do të ketë radikalizëm islamik ose ndikim rus. Këto nuk janë argumente për hapje negociatash. Ai duhet të jetë i shqetësuar vetë për këto probleme dhe të punojë me opozitën dhe shpresoj që edhe opozita të punojë me të. Dhe (kryeministri duhet) të thotë “këto janë kërcënime për Shqipërinë, le të punojmë që të sigurohemi që kur të vijë qershori, Këshilli Evropian të thotë po, le t’i hapim negociatat”. Pra do të doja të shihja këtë lloj presioni të ushtrohej ndaj udhëheqësve politikë të Shqipërisë në këtë moment, që të çojnë përpara një program më të fortë reformash.

Zëri i Amerikës: Duket sikur ka një mospërputhje mes vlerësimit të Komisionit sipas të cilit “prirja pozitive e viteve të fundit vazhdoi” në luftën kundër korrupsionit dhe dy raporteve të fundit të Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut ku thuhet se “korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes” dhe ai i organizatës Freedom House. Si do t’i analizonit këto raporte?

Robert Hand: Para së gjithash arsyet që përmenda pse sipas mendimit tim e ndërmori këtë hap Komisioni, nuk janë domosdoshmërisht arsyet që ata mund t’i thonë zyrtarisht, pra mund të ketë qenë në një fare mase një dhënie shansi për Shqipërinë që të provojë veten. Por mendoj gjithashtu se ka një prirje nga ana e evropianëve që thjesht miratimi i ligjeve ose marrëveshjet për strategjinë për luftën ndaj korrupsionit, të shihen si përparim. Pikëpamja amerikane – dhe kjo mendoj se është e dukshme në raportin për të Drejtat e Njeriut – mënyra se si ne i trajtojmë gjërat, nuk është njëlloj: Nuk është e mjaftueshme të miratosh një ligj, duhet të ketë zbatim konkret, hapa konkrete. Për shembull është gjë pozitive që së fundmi ka pasur veting të gjykatësve, por kjo nuk do të thotë që brenda natës u zhduk korrupsioni në sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe mendoj se raporti i Departamentit të Shtetin e reflekton këtë. Edhe nëse ka pasur miratime, zbatimi konkret, ndryshimi në terren, nuk është realizuar dhe prandaj duket se ky raport është shumë më kritik.

Unë e shikoj këtë kontrast. Mënyra sesi evropianët i konsiderojnë të drejtat e njeriut, çështjet e korrupsionit, të shtetit ligjit gjithmonë ka qenë disi ndryshe nga ajo e Shteteve të Bashkuara. Është ndryshimi mes miratimit të masave dhe zbatimit konkret. Pastaj kemi raportin e Freedom House që i shikon gjërat nga një perspektivë tjetër. Para së gjithash është një organizatë joqeveritare dhe organizatat jo-qeveritare ashtu si edhe shoqëria civile gjithmonë kërkojnë më shumë, nxisin për më shumë dhe në veçanti Freedom House, e krahason Shqipërinë edhe me vende të tjera, edhe analizon për një periudhë më të gjatë kohore dhe kur e bën një gjë të tillë, nuk sheh vetëm çfarë ndodhi nga viti 2016 në vitin 2017 apo nga 2017 në 2018, por edhe ku është ky vend krahasuar me pritshmëritë tona se ku duhet të jetë dhe nga ky këndvështrim Shqipëria është shumë mbrapa dhe në këtë pikëpamje unë jam dakord me Freedom House.

Mund ta pranoj që ndoshta ka pasur pak përparim aty-këtu por një çerek shekulli pas rënies së shtetit komunist njëpartiak, Shqipëria duhet të ishte shumë më përpara se ç’është tani. Është me të vërtetë qesharake që nuk ka qenë në gjendje që të përparojë më shumë përsa i takon luftës kundër korrupsionit. Pra unë do të isha dakord me Freedom House që mendoj se ka vlerësimin më kritik. Do të thoja gjithashtu, duke lexuar raportin e Komisionit Evropian, se edhe aty gjithmonë thuhet një farë përparimi, që të paktën në anglisht është njëlloj si të thuash përparim minimal, nuk thotë përparim i konsiderueshëm, ose përparim i madh. Pra megjithëse raporti i Komisionit Evropian, është pak më pozitiv është shumë larg një mbështetjeje të fortë për çka po bëhet në Shqipëri për të luftuar korrupsionin. Shpresoj që Brukseli ta kuptojë këtë – dhe me siguri e kupton sepse është raporti i vet – dhe t’i thotë Tiranës që duhet të jetë shumë më serioze në këto përpjekje për të luftuar korrupsionin.

Hand: Partitë politike vetë nuk janë shumë demokratike

Zëri i Amerikës: Ajo që bie në sy në këto raporte, por edhe po të shohësh gjendjen në Shqipëri është kultura e pandëshkueshmërisë dhe fakti që vetingu ka filluar, por njerëzit në nivele të larta të politikës vazhdojnë të jenë të paprekshëm dhe ju e keni ngritur këtë shqetësim edhe më parë…

Robert Hand: Nuk është diçka që ndodh vetëm në Shqipëri, e shohim edhe në vende të tjera që kur u ushtrohet presion që të luftojnë korrupsionin, ata e bëjnë një gjë të tillë me subjektet më të lehta, personat në nivelet më të ulëta dhe jo organizatorët dhe pa diskutim nga sa e shoh unë ka një pandëshkueshmëri për ata që janë në nivele të larta, që ata nuk vihen para përgjegjësisë dhe shpresoj që kjo të ndryshojë. Kjo është pjesërisht arsyeja që unë ndaj vlerësimin më kritik dhe po të isha qytetar shqiptar do të isha i skandalizuar se si udhëheqësit e politikës i kanë shpëtuar dhe vazhdojnë t’i shpëtojnë ndëshkimit për ato që kanë bërë.

Zëri i Amerikës: Si do t’u përgjigjeshit atyre që thonë, “po të ishim kaq të këqinj, si ka mundësi që fituam zgjedhjet me një shumicë të tillë”?

Robert Hand: Është çështje alternativash. Duke pasur parasysh se sa i shfrenuar është korrupsioni dhe nuk është vetëm në Partinë Socialiste, e sheh në të gjitha partitë politike, njerëzit nuk kanë alternativa reale të pranueshme përballë asaj që është në thelb një elitë politike e korruptuar. Do të ishte shumë mirë të shihnim fytyra të reja në politikën shqiptare që të paraqisnin këto alternativa por nga mënyra sesi janë strukturuar gjërat, do të ishte e vështirë për njerëzit e rinj të ecin përpara. E di që në disa parti politike, ka pasur përpjekje për ta larguar vëmendjen nga udhëheqja aktuale, por deri tani duket se të gjithë kanë ngecur në pozicione të palëvizshme dhe ky është vërtet problem.

Zëri i Amerikës: E keni fjalën për ndryshimet që u dhanë pushtet të gjerë krerëve të partive?

Robert Hand: Po, partitë politike vetë nuk janë shumë demokratike dhe unë e di që disa nga anëtarët e thjeshtë në strukturat partiake zhgënjehen nga kjo gjendje por aftësia e tyre për ta ndryshuar është mjaft e kufizuar.

Zëri i Amerikës: Si do ta vlerësonit punën e qeverisë që kur shumica fitoi zgjedhjet vitin e kaluar?

Robert Hand: Është pak e vështirë të japësh nota për këto gjëra, por mendoj se raporti i Komisionit Evropian, Raporti i Departamentit të Shtetit dhe Freedom House, si edhe të tjera flasin vetë. Mendoj se qeveria e kupton që duhet të ndërmarrë hapa, por nuk mendoj se presioni është i mjaftueshëm për t’i marrë këto hapa dhe shpresoj që të bëjnë më shumë sepse nuk nuk do të isha i kënaqur po të isha qytetar shqiptar. Sigurisht një pjesë e presionit mund të vijë nga jashtë, por do të ishte mirë të shihnim më shumë presion edhe nga brenda: presion për ndryshim nga brezi më i ri, nga shoqëria civile etj.

Veritas.com.al/