Denoncimi publik i Partisë Demokratike se vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj është i dënuar me 7 vjet e 2 muaj burg për trafik droge në Itali ka vënë në lëvizje Prokurorinë për Krime të Rënda.

Organi i akuzës ka nisur verifikimet për të parë nëse ndaj Agron Xhafës rëndon një vendim i formës së prerë i Gjykatës së lartë italiane, siç pretendon PD-ja. Por burime nga Prokuroria thanë për Express se nuk ka asnjë kërkesë zyrtare nga autoritetet italiane për ekstradimin e Agron Xhafës.

Të njëjtat burime saktësojnë se verifikimet do të bëhen në kuadër të ligjit Antimafia për pasurinë e vëllait të ministrit.

E djathta shqiptare akuzoi ministrin se jo vetëm nuk ka bërë verifikimet për ekstradimin e Agron Xhafaj i cili nga koha e vendimit deri tani ka jetuar i lirë në Shqipëri, por edhe se ka falsifikuar nenin për ekstradimet duke i dhënë lehtësi vëllait të tij.

Vetë ministri i Brendshëm i ka mohuar këto akuza.

Reagimi i organit të akuzës erdhi pas deklaratës së bërë nga deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, sipas të cilit vetëm Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, nuk po sheh shkeljet ligjore dhe falsifikimet e ministrit të Brendshëm, për të mbrojtur vëllain e tij.

Veritas.com.al/