
Hapet tuneli i Murrizit, pjesë e rrugës së Arbrit që lidh Tiranën me Dibrën. Përfundimi i punimeve në tunelin e Murrizit shkurton kohën me 20 minuta nga Tirana në Dibër, e cila tashmë arrihet për rreth një orë e gjysmë.
Tuneli i Murrizit e bën të aksesueshme të gjithë Rrugën e Arbrit, një nga segmentet kombëtare më të rëndësishme, e cila do të nxisë rritje ekonomike të zonës dhe të sektorit turistik.
Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, e ftuar në “Money Report” në ABC News analizoi dobitë dhe përfitimet që do ketë zona e Dibrës.
Sipas saj, ndërtimi i kësaj vepre infrastrukturore do sjellë jetë dhe zhvillim për zonën, e cila ka potenciale të mëdha dhe ta pashfrytëzuara.
“Nëse do ta trajtojmë në parim zhvillimin e infrastrukturës dhe realizimin e një rruge të tillë që lidh Dibrën me Tiranë, do themi në vetvete që infrastruktura është jetë, është zhvillim. Ajo lidh polet e rajoneve të vendit. Çdo infrastrukturë që bëhet, sidomos në rastin e Rrugës së Arbrit, që është infrastrukturë e re, moderne, dhe që i ka munguar për vite atij rajoni do çojë në zhvillim”, tha ajo.
Ajo pohoi se bashkë me infrastrukturën edhe “paketa e maleve” e iniciuar nga qeveria Rama do jetë një “joshje” për të gjitha ata shqiptarë që duan të kthehen për të investuar në zonën e tyre.
“Çdo pjesë e Shqipërisë, çdo qark që lidhet me infrastrukturë automatikisht e bën zonën që të jetë një synim për hapjen e bizneseve të reja. Nxit hapjen e bizneseve të reja. Paketa e maleve do jetë një nxitëse për zhvillimin e bizneseve. Ne atë zona na intereson që të kthehen vendasit, ata që kanë qenë në ato zona. Mund të ketë një specifikë të veçantë, pra duhet të këtë një zë të veçantë diaspora, në mënyrë që ai që ka ndërtuar jetën jashtë Shqipërisë, të gjejë lehtësi në rast rikthimi”, tha Nunaj.
Ekspertja theksoi se Dibra ka potencial që të shndërrohet në një atraksion turistik duke marrë parasysh afërsinë e saj me Dibrën e Madhe në Maqedoninë e Veriut.
“Janë zona pak të aksesueshme nga qytetarët. Janë zona të virgjëra dhe të paprekura. Këto zona mund ta bëjnë mundësinë që të lidhen edhe me zonat në Maqedoninë e Veriut. Pra, të ketë lehtësime për krijimin e një tregu. Dibra do kthehet në një pol shumë i rëndësishëm, siç është kthyer Korça dhe Gjirokastra dhe kjo do të lidhë dy zonat, Dibrën dhe Dibrën e Madhe”, tha ajo
Komente