Përkeqësimi i situatës me pandeminë e Covid-19 ka bërë që Bashkimi Europian të heqë nga lista e vendeve të sigurta Shqipërinë dhe 5 vende të tjera.

Vendimi është marrë nga Këshilli Europian, ku përveç Shqipërisë, në këtë listë janë edhe Serbia, Armenia, Azerbajxhani, Brunei Darussalam dhe Japonia. Ky vendim do të jetë në fuqi për dy javët në vazhdim dhe më pas do të rishikohet sërish nëse do të ketë ndryshime apo jo.

Ndërkohë sipas vendimit nga 9 shtatori 2021 shtetet anëtare të BE duhet të heqin gradualisht kufizimet e udhëtimit në kufijtë e jashtëm për vende të tilla si: Australia, Bosnje dhe Hercegovina, Kanadaja, Jordania, Zelanda e Re, Katari, Republika e Moldavisë, Arabia Saudite, Singapori, Korea e jugut, Ukraina, Uruguaj, Kina.

I gjithë Ballkani tashmë duket se bën pjesë në listën e vendeve të pasigurta. Më herët Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut i janë shtuar kësaj liste.