Vendimin e ka marrë sot, Gjykata e Krimeve të Rënda, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi afati i parë tremujor sapo përfundoi. ish-ministri Tahiri hetohet për lidhje të ngushta me bandën e Habilajve në trafikun e lëndëve narkotike.

Vazhdimi  i hetimit i iu premtua prokurorit të çështjes, Besim Hajdarmatajt, edhe nga Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme, Arta Marku, e cila e priti paradite në zyrën e saj.

Në një njoftim të shkurtër, Prokuroria e Përgjithshme shprehet:

“Prokurori i Përgjithshëm, znj. Arta Marku mbështet hetimet tërësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për çdo çështje e në çdo nivel, kundër krimit dhe korrupsionit.

Zonja Marku ia dha mbështetjen kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj kur e priti në Prokurorinë e Përgjithshme paraditen e së hënës, 22 janar 2018.

Prokurori i Përgjithshëm, znj. Arta Marku kërkon që Prokuroria e Krimeve të Rënda të vazhdojë pa hezitim dhe vendosmërisht punën dhe hetimet e filluara.

Kryeprokurorja znj.Marku garantoi bashkëpunim për hetime të vazhdueshme të çështjeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda ndaj kujtdo që shkel ligjin.

Prokuroria e Përgjithshme rithekson mbështetjen e nevojshme për çdo çështje, me çdo mjet dhe në çdo kohë, për të çuar përpara hetimet.

Prokuroria e Përgjithshme vë në dispozicion të Prokurorisë për Krimet e Rënda të gjitha burimet njerëzore dhe infrastrukturore për kryerjen me sukses të detyrave përputhshmërisht me ligjin”, sipas deklaratës së Prokurorisë së Përgjithshme.