Pas orësh të zgjatura tensionesh e akuzash mes palëve ka marrë fund dhe bllokimi i pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se tashmë të 9 zonat ku ishin ngritur barrikada nga ana e qytetarëve serbë janë hequr dhe pikat e kalimit kufitar janë të hapura për qytetarët e Kosovës.
Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët në veri të Kosovës më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak. Situata u përshkallëzua ndjeshëm dhe madje u raportuan dhe të shtëna armësh.
Autoritetet në Kosovë vendosën të shtyjnë me 30 ditë zbatimin e reciprocitetit për dokumentet dhe targat serbe pas ndërhyrjes së SHBA dhe BE.
Më herët, kryeministri Kurti kishte paralajmëruar se nuk do të lejojë që bandat kriminale të financuara nga Beogradi të destabilizojnë vendin.
Vendimet për reciprocitetin do të hynin në fuqi më 1 gusht, por mbrëmjen e së dielës qytetarët serbë bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut me mjete të rënda.