Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Lezhës, ku një punonjës i policisë është qëlluar me armë zjarri, gjatë një kontrolli anti-kanabis në zonën e Ishull Lezhë.
Saimir Hoxha, 44 vjeç, humbi jetën në krye të detyrës ende në rrethana të paqarta. I dyshuari kryesor është Aldi Rama, i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.
Menjëherë drejt ngjarjes janë nisur drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe është ngritur një strukturë e përbërë nga forcat speciale RENEA, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu në ndihmë të kësaj strukture kanë shkuar edhe helikopterët e ministrisë së Brendshme të Shqipërisë.
Kjo, për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
(Vendi ku ka ndodhur vrasja)
Ndërtimi i ngjarjes
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, 44-vjeçari po kontrollonte territorin për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Aty gjatë orëve të para të mëngjesit, në zonë e Vainit, janë sulmuar grupi i kontrollit të policisë.
Hoxha ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.
Shërbimet e Policisë e kanë rrethuar zonën me qëllim kapjen e autorit.
Sipas informacioneve paraprake dy shtetas janë shpallur në kërkim.
(Fotot e publikuara nga Policia të 21-vjeçarit Aldi Rama)
Ai është 21 vjeç, dhe sipas policisë i riu ka pasur precedent penal. Rama ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.
Sipas policisë, 21-vjeçari është larguar me automjet nga vendngjarja. Ende po vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Policia ofron 20 mijë euro shpërblim për këdo që zotëron informacion lidhur me vendndodhjen e tij.