“Shpëtoni sa pa vdekur nga të ftohtit!”; ndryshe nga armiqësia e autoriteteve por jo vetëm,- prifti hungarez Zoltan Nemeth u ofron ngrohje dhe komoditet emigrantëve të kallkanosur, një iniciativë e rrallë në vendin e Viktor Orban.

Në sallën e pritjes në kishën e tij gjen palltot e varura kapicë,  dyshekët dhe çantat e shpinës të 14 azilkërkuesve -kurdë irakenë, afganë, kamerunas, nigerianë, kubanë e kongolezë, të krishterë  e myslimanë- të strehuar atje.

Klithma e alarmit u dëgjua në fillim të dhjetorit përmes letrës që njëri prej tyre i shkroi këtij prifti katolik fytyrë rrumbullakët e me syza të holla. At Nemeth, 61 vjeç, nuk hezitoi t’i përgjigjej thirrjes.

“Nuk jam hero, ma kërkon detyra ime prej kristiani t’i ndihmoja”, shpjegon prifti i dioqezës së Kormendit, një qytet me 12.500 banorë në afërsi të kufirit austriak ku u ngrit një kamp refugjatësh që në verë të këtij viti.

Por bëhet fjalë për ca tenda të thjeshta ushtrie që ngrohen me soba druri, të papërshtatshme për dëborë dhe për temperaturat e akullta të dimrit hungarez, dëshmon një nga bujtësit e at Nemeth-it.

“Duhet të rrijë dikush zgjuar tërë natën për t’i hedhur dru zjarrit që të përballohet të ftohtit”, shpjegon për AFP-në një kamerunas i krishterë tek të tridhjetat që dëshiron të ruajë anonimatin, dhe që urata e ka “punësuar” si shërbyes meshe.

Kushtet e vështira të kampit të Kormendit, që nuk është i hapur për shtypin, janë denoncuar si “çnjerëzore” nga OJF-ja Migszol, që i ka akuzuar autoritetet hungareze se kërkojnë “me dashje t’i ngrijnë njerëzit në kampe me tenda”.

 

– ‘Anti-Hungarez’ dhe ‘jo-kristian’ –

Megjithëse papa Françesku dhe shumë kisha të tjera evropiane janë mobilizuar në pritjen e emigrantëve, akti i at Nemeth-it mbetet i izoluar në Hungari, ku kryeministri Viktor Orban i ka shumëfishuar iniciativat që synojnë çinkurajimin e mbërritjes në masë të refugjatëve, që ai e ka cilësuar si “helm” për “civilizimin perëndimor”.

Në valën më të fortë të dyndjes së qindra mijëra emigrantëve që kalonin transit vitin e kaluar nëpër Hungari, kardinali hungarez Peter Erdö kishte dhënë tonin duke paralajmëruar se nga pikëpamja e të drejtës kombëtare, çdo ndihmë qoftë edhe për një emigrant do të konsiderohej si “trafik qeniesh njerëzore”. Në vjeshtë, at Imre Kozma, i shndërruar në personalitet botëror në 1989 duke pritur mijëra refugjatë nga Gjermania Lindore pak përpara rënies së Murit të Berlinit, bëri thirrje nga ana e tij për të mbështetur referendumin kombëtar anti-emigrantë të organizuar nga M. Orban.

“Ndjehem pak vetëm”, pranon Zoltan Nemeth. Vetëm dy nga kolegët e tij priftërinj i kanë shprehur deri tani mbështetjen e tyre, nënvizon ai.

Fushatat ksenofobe të ndërmarra çprej dy vitesh nga qeveria kanë patur gjithashtu efekt në disa prej besimtarëve në dioqezën e tij, ka patur ndër ta që e kanë akuzuae si “anti-hungarez” dhe “jo-kristian”, pranon vetë at Nemeth-i.

“Njëri më ka ndaluar në rrugë për të më siguruar se emigrantët do të më vrasin siç bënë me atë priftin në Francë”, nënvizon urata, duke aluduar për vrasjen e at Hamelit nga një  xhihadist në Normandi në muajin korrik.

Por nga ana tjetër, janë të shumtë hungarezët nga të katër anët e vendit, “si besimtarë praktikantë edhe ateistë”, që i kanë dërguar mesazhe mbështetjeje, buzëqesh ai. Si mund të konsiderohemi kristianë të vërtetë nëse flasim për Ungjijtë pa i jetuar?”,- pyet prifti, duke  cituar me bindje modelin e papa Françeskut dhe aktet e tij në favor të njerëzve në nevojë.

Sa për veten, ai tregon se gjatë qëndrimit prej tre vjetësh si misionar në Afrikën e Jugut, prifti hungarez “mësoi të injorojë fetë, racat dhe klasat shoqërore dhe të shohë vetëm njeriun”.

/Veritas.com.al/