Gjykata e Posaçme ka caktuar 24 tetorin, ditën kur Sali Berisha duhet të paraqitet në gjyq për t’i marrë në pyetje lidhur me akuzën për korrupsion pasiv në rastin e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në datën 24.10.2023, ditë e Martë, ora 14:00, ka caktuar seancën gjyqësore të marrjes në pyetje të personit nën hetim Sali Berisha, bazuar nenit 248 pika 1 të K.Pr.Penale”, thuhet në njoftim.
Në seancën e verifikimit të masës së sigurisë, personi në hetim, në rastin konkret Sali Berisha, do duhet të jetë në seancë. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ish-kryeministri do të paraqitet në gjyq apo do të vijojë që të mos e marrë për bazë këtë njoftim, me argumentin se masa e sigurisë e caktuar ndaj tij është anti-Kushtetuese.
Aktualisht Berisha është nën masën detyrim paraqitje dhe nuk mund të largohet nga vendi në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Sipas SPAK, ish-kryeministri me veprime konkrete ka ndikuar në miratimin e ligjeve apo akteve nënligjore të cilat u përshtatën me kërkesat e 5 pronarëve, mes të cilëve përfitues ishte dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.