Është shoqëruar me tensione procesi në gjykatën penale të Tiranës për Dan Hutrën, autorin e vrasjes së 3 grave dhe plagosjen e 3 të tjerave.

Në seancën e se enjtes qe u mbajt me dyer të mbyllura u paraqit për të dëshmuar Vladimir Kurti, një i dënuar përjetë, të cilit në mars të vitit të kaluar Hutra i vrau të motrën.

Kurti refuzoi të jepte deklarime në cilësinë e dëshmitarit, por iu drejtua të pandehurit, që dikur kishte ndarë qelinë, si monstër, duke paralajmëruar se nuk e fal vrasjen e motrës së tij.

“Gjakun e motrës sime nuk e than dheu, nuk e fal. Ai është vrasës, ka futur në dhe 4 gra, refuzoj të japë deklarime përballë këtij monstre”, ka thene ai.

Nga ana tjeter Dan Hutra u shfaq i qetë.  Seanca u shty për në datën 5 dhjetor në orën 12:30, ku do të vijojë procesi gjyqësor, për autorin e vrasjes së trefishtë, ngjarje të cilën e kreu pak dite pas daljes nga burgu ku ishte dënuar për vrasjen e ish-bashkëshortes.