TIRANË-Ka zgjatur për më shumë se dy orë dëshmia e presidentit të Partisë së Lirisë, ish- president i Republikes, Ilir Meta, në Prokurorinë e Posaçme.

Avokati i tij, Genc Gjokutaj, tha për mediat se klienti i tij është pyetur nga prokurorët vetëm për lobimin e LSI-së në Shteteve të Bashkuara.

“Sot u pyet për lobimin në SHBA”, tha ai.

Sipas SPAK, në cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk ka deklaruar një shumë prej 463 mijë dollarë nga lobimi që ka bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo shumë thekson SPAK nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Përgjatë periudhës 2016-2017, Ilir Meta. me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe  Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të  forcës politike  nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Ish-presidenti i Republikës po hetohet për tre vepra penale, “korrupsion” në 3 raste, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *