Presidenti i Republikës Ilir Meta, në një dalje për mediat nga presidenca, ka bërë me dije se është gati padia për Kuvendin për falsifikim dokumentesh.

“Do të dorëzojmë padinë për veprat penale të kryera në bashkëpunim, falsifikimit të dokumenteve parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.  Sapo ky kallëzim të depozitohet në Prokurorinë e Posaçme dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, menjëherë do ta publikojmë të plotë në faqen zyrtare të institucionit të Presidentit të Republikës”, tha Meta.

Presidenti e cilësoi një rast flagrant që ka tronditur themelet e Republikës, një përpjekje për të finalizuar një grusht shteti.

“Është shumë flagrant, ndodh për herë të parë në një seancë publike të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi i Shqipërisë. Në një proces që ndodh për herë të parë në 30 vite kundër Kreut të Shtetit. Dhe ky krim tregon shumë qartë jo vetëm se si ka funksionuar Kuvendi një partiak i para 25 prillit por është dramë se si po funksionon edhe ky Kuvend me opozitë.

Këtu kemi të bëjmë me themelet e Republikës, që janë tronditur rëndë. Nëse presidenti i atij vendi të nderuar të BE-së, doli me popullin vetëm për të kundërshtuar një ligj të konfliktit të interesave, ligje më të rënda se ai Kuvendi i mëparshëm ka prodhuar në çdo seancë dhe deklaroi se ky ligj është nisja e një grushti shteti, çfarë mund të themi mbas gjithë atyre historive të falsifikuar vë kanë ndodhur në vendin tonë për gjatë gjithë këtyre viteve, përfshirë edhe institucionet e drejtësisë. Kjo përpjekje, kjo provë e re që vjen pas 8 muajsh, kur procedura ka qenë e qatë që ka qenë anti kushtetuese dhe e falsifikuar. Ky akt falsifikimi që kërkon të ligjërojë gjoja procedurën brenda afateve e cila është shumë e qartë se ka qenë një procedurë mafioze nuk është veçse përpjekja për të finalizuar një grusht shteti kundër kreut të shtetit”, tha Meta.

Ndërsa Këshilltari i tij ligjor, Bledar Dervishaj, tha se gjithçka është e qartë për manipulimin sipas tij.