Nga: L. Skiro/

Ilir meta, president i Republikës është nxehur keqas me kryeministrin Edi Rama. Madje ia ka kaluar nxemjes së vitit 2011 kur u kap nga kamerat duke marrë euro korrupsioni nga i ndjeri Dritan Prifti dhe atëherë u nxeh me Ramën e i tha ‘fundërrinë njerëzore’. Atëherë nxemja e Metës kushtoi shumë: katër protestues të vrarë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Edhe atëherë Janar ishte, por 21 Janari i zisë së madhe për katër viktima të vrara për arsye të korrupsionit të politikanëve.

Sot zoti Meta është nxehur duke futur në lojë jo më Dritan Priftin, por ‘komisar Zaganin’.

Në vend që t’i drejtohej si atëherë ‘fundërrinë njerëzore’, sot e ka sharë ndryshe mikun e tij Rama:

“Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkroi një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderëve e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë. “- shkruan Meta

Pastaj Ilir Meta mori në mbrojtje presidentin: ‘Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!”.

Pasdite mund të ndodhë që Meta dhe LSI t’i kërkojnë Ramës që të hyjnë në qeverinë e tij ‘Rama 4’.

Veritas.com.al/