Indeksi Global i Konkurrueshmërisë së Talenteve për vitin 2018 e rendit Shqipërinë në vendin e 78-të në botë, në mesin e 119 shteteve të analizuara, me pak hapa të përmirësuara krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, ky përparim nuk e bën më konkurruese në rajon. Përkundrazi, sipas renditjes së raportit të ofruar nga “Insead” dhe grupi Adecco, Shqipëria është e fundit në rajon dhe gjithashtu, e fundit në Europë, raporton ‘Monitor’.

Vendi ynë renditet i fundit në rajon. Performancën më të mirë e ka Mali i Zi, në vendin e 58-së, Maqedonia ndodhet në vendin e 59-të në botë dhe Serbia ndodhet në vendin e 69-të . Siç vihet re, vendi ynë ka diferencë të konsiderueshme krahasuar edhe me rajonin

E ndarë sipas nënkategorive të ekzaminuara, Shqipëria renditet mirë vetëm në atraktivitetin e talenteve, por krahasuar me vendet e tjera, apo edhe rajonin, ka performancë më të ulët.

Nënkategoria që e “penalizon” më tepër është ajo e njohurive globale, në të cilën renditet e 100-ta në botë, ndër 119 shtete. Ndërsa, në drejtim të edukimit, rritjes së talenteve, mundësimi i nxjerrjes së talenteve, niveli i njohurive etj. performanca e vendit tonë lë për të dëshiruar.

Sipas raportit, Evropa tregon një heterogjenitet të madh, duke përfshirë dallime të mëdha të performancës midis më të lartës në renditje (Zvicra) dhe më e ulëta (Shqipëria).

Indeksi ka për qëllim të tregojë rëndësinë e lëvizjes së talenteve dhe impaktin në prosperitetin ekonomik dhe është i hartuar nga Indead, Business School of the World, Adecco Group dhe Tata Communication.

Në renditjen globale, Zvicra mban vendin e parë, e ndjekur nga Singapori dhe Shtetet e Bashkuara. Vendet evropiane vazhdojnë të dominojnë renditjen e GTCI, ku 15 prej tyre janë në 25 vendet kryesore.  Në mesin e vendeve jo-evropiane të rangut të lartë këtë vit, janë për shembull Australia (11), Zelanda e Re (12), Kanadaja (15), Emiratet e Bashkuara Arabe (17) dhe Japonia (20).

Veritas.com.al/Monitor/