Marta Kos, Komisionerja për Zgjerimin, do të vizitojë Shqipërinë nga data 12 deri më 14 mars, duke shënuar misionin e saj të parë zyrtar në vend.

Kjo vizitë do të shërbejë si një mundësi për të diskutuar me autoritetet shqiptare mbi ecurinë e procesit të anëtarësimit në BE, veçanërisht përparimin në fushën e reformave themelore dhe në drejtësi. Gjithashtu, vizita do të jetë një rast për të përcjellë rëndësinë e konsolidimit të arritjeve përmes rezultateve të mëtejshme konkrete, në përputhje me natyrën e procesit të bazuar në meritë.

Ndër të tjera, Komisionerja do të takohet me Kryeministrin Edi Rama, Kryenegociatoren për BE-në Majlinda Dhuka dhe Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali. Ajo do të zhvillojë gjithashtu takime me institucionet e pavarura të drejtësisë, me deputetë, përfshirë përfaqësues të opozitës, si dhe me organizata të shoqërisë civile. Për më tepër, Komisionerja Kos do të mbajë një fjalim për studentët e Kolegjit të Europës dhe të Universitetit të Tiranës, duke shkëmbyer ide mbi rolin e shoqërisë civile dhe përfshirjen e të rinjve në politikën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Si pjesë e misionit të saj, Komisionerja Kos do të vizitojë tre projekte të financuara nga BE në Elbasan, ku do të takohet me sipërmarrje sociale të mbështetura nga asete të konfiskuara nga krimi i organizuar, do të bisedojë me gra viktima të dhunës me bazë gjinore dhe do të shkëmbejë ide me studentë të rinj që marrin pjesë në programin e shkëmbimit shkollor të Ballkanit Perëndimor, i cili mbështet pajtimin dhe mësimin ndërkulturor.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *