Po zhvillohet në Kuvend interpelanca me ministren e Shëndetësisë Albana Koçiu e thirrur nga dy grupimet e PD-së në lidhje me skandalin në spitalin Onkologjik. Ministrja dënoi tentativën e opozitës për të politizuar çështjen ndërsa shtoi se inkurajon drejtësinë të zbardhë krejt ngjarjen.
“Ministria e Shëndetësisë që në momentin e parë që u mësua lajmi për zbulimet paraprake të Prokurorisë, reagoi dhe bëri thirrje për të zbardhur ngjarjen. Edhe sot bëj thirrje për të inkurajuar organet e drejtësisë që të hetojnë me zero tolerancë dhe të nxjerrin para përgjegjësisë çdo individ që ka abuzuar me misionin e shenjtë të mjekut. Jam dhe do të jem gjithmonë në krah të çdo anëtari të trupës spitalore Nënë Tereza, që bluzën e bardhë e ka të panjollosur. Tentativa për ta politizuar ngjarjen është akt i shëmtuar por do të rezultojnë dhe i dështuar. Nder s’ju bën sepse jeni qartësisht të lexueshëm për t’u qarë hallin njerëzve. Thënë kjo, më duhet të theksoj se gjatë këtyre viteve të PS na është dashur shumë punë për të kthyer në vend dinjitetin e mjekut. Sot mjekët dhe infermierët janë një ndër kategoritë më të paguara. A është ky maksimumi? Jo. Do të vazhdojmë të përmirësojmë kushtet e tyre. Po punojmë për disa ndërhyrje të shpejta për urdhrin e mjekut. Ndaj kemi vendosur së së pari hapja apo puna në një klinikë private do të vazhdojë deri në momentin kur spitali përkatës do të përfundojë procesin e autonomisë spitalore.“, tha ministrja në Kuvend.
Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë zhvilluan një takim me drejtues të QSUT-së, ku prezantuan edhe disa masa që do të ndërmerren për të luftuar ngjarje të tilla. Koçiu njoftoi ndryshime në ligjin për Urdhrin e mjekut që rregullon veprimtarinë e bluzave të bardha. Ajo tha se mjekët që punojnë në klinika private s’do të mbajnë asnjë funksion në spitalet publike.
Ministrja theksoi gjithashtu se do të ketë ndryshime edhe në masat disiplinore. Mjekët që dërgojnë pacientët në klinikat private do të dënohen me gjoba domethënëse dhe në rast përsëritjeje, do t’u ndalohet aktiviteti si për mjekun ashtu edhe për klinikën që zotëron apo punon për afate të caktuara.