Një ditë më parë, Zëri i Amerikës duke cituar Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, raportoi se edhe nisja e zbatimit të programit IPARD III në mbështetje të bujqësisë shqiptare, është pezulluar, teksa IPARD II po hetohet.

Në një reagim të parë, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e ftuar në “Debat” nga Alba Alishani, theksoi se është shumë e rëndësishme që të sqarohet terminologjia e përdorur në letrën e delegacionit të BE-së rreth kësaj çështjeje sensitive, që edhe qytetarët të jenë më të qartë.

Si fillim, ministrja Anila Denaj sqaroi se nuk bëhet fjalë për pezullim, por për lënie në pritje të programit në një kohë kur të gjitha proceset janë në monitorim të plotë.

Sipas ministres, bëhet fjalë për një masë preventive, që nuk është marrë vetëm në Shqipëri, derisa vendi të jetë gati edhe për përmirësimin institucional.

Dhe, së dyti sa i përket raportit të dorëzuar nga OLAF pranë KE-së ku përmenden 71 raste të parregullsive, Denaj sqaron se bëhet fjalë për raste të raportuara nga vetë Shqipëria gjatë vitit 2022.

“Në progres-raportin e KE-së, që është një ndër më të mirët që është bërë për Shqipërinë ndër vite. Kur vjen çështja e 71 rasteve, thuhet Shqipëria në vitin 2022, raportoi 71 raste të parregullsive.”

Dhe, diferenca këtu sipas ministres, është se janë krijuar kushtet për t’u mundësuar raportime të parregullsive nga vetë strukturat e brendshme të vendit.

“Në strukturat e brendshme të monitorimit, të cilat kanë qenë një punë e vazhdueshme e institucioneve, dhe jo vetëm e ministrisë së bujqësisë, të raporteve të auditit në veçanti, kanë krijuar një parakusht për të mundësuar atë që quhet warnings apo raportime për parregullsi nga vetë strukturat e brendshme.”

Megjithatë, ministrja shton se ka ende vend për përmirësim dhe kërkohet një bashkëpunim akoma më i madh mes strukturave për përmirësimin e investigimit.

Ndërsa, sa i përket pyetjes se kur mund të “zhbllokohen” këto programe të financimit për bujqësinë, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural sqaroi se në veçanti, programi IPARD III ka 9 masa dhe kjo, siç u shpreh ajo, kërkon më shumë kohë, institucione më të forta dhe disa mësime rreth kapaciteteve institucionale.