Koha nuk pret, dhe ashtu si për integrimin, BE nxiton edhe për pas anëtarësimit. EuroNews zbulon se ka parë një document konfidencial, në të cilin Presidenca irlandeze e Këshillit të BE ka propozuar shkurtimin e periudhës së provës për anëtarët e rinj që do i bashkohen BE në të ardhmen.
Dublini e konsideron shumë të gjatë periudhën 15-vjeçare të provës, ndaj kërkon shkurtim në 10 vite, me mundësi zgjatje edhe për 5 vite në rast se do të shihen hapa pas nga anëtari i ri. Kjo metodë e re mbrojtëse e BE, do të provohet për herë të parë me traktatin e anëtarësimit për Malin e Zi. Dhe më pas për Shqipërinë. Që do të thotë se, në rast se Shqipëria anëtarësohet në vitin 2030 në BE, periudha e provës do të vlente deri në vitin 2040.
Në rast se anëtari i ri gjatë këtyre 10 viteve, bën hapa pas në raport me BE, atëherë hyjnë në fuqi masat ndëshkuese të Brukselit. Një prej tyre është heqja e të drejtës së vetos. Hapi tjetër është ngrirja deri në ndërprerjen e fondeve europiane. Po ashtu kufizime në tregun e brendshëm ekonomik apo në lëvizjen e lirë.Për këtë propozim irlandez ka një consensus të gjerë në BE, ndahen vetëm tek masat ndëshkuese. Holanda bashkë me 5 vende të tjera anëtare kërkon masa më të rrepta për anëtarët e rinj, duke iu friksuar ende rikthimit të hijes së një Viktor Orbani të ri në BE.
Vendet e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” të udhëhequr nga Italia, duan një qasje më të butë, për ti mirëpritur anëtarët e rinj me klimë pozitive dhe për ti ofruar një pozitë të barabartë me gjithë vendet e tjera.
Përkundër kësaj, Komisioni ka propozuar një mekanizëm monitorimi para anëtarësimit, në mënyrë që kandidatët të përmbushin të gjitha detyrat para se të bëhen zyrtarisht pjesë e BE. Në rast se ky monitorim vlerëson përkeqësim të kandidatit gjatë integrimit gradual, atëherë mund ti shtyhet anëtarësimi. Por ky propozim nuk është marrë ende në konsideratë nga Këshilli i BE, i cili dyshon se një monitorim shtesë do i rëndonte vendet kandidate.
Komente