48-52% e shqiptarëve do të votonin për Partinë Socialiste nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot. Është ky rezultati i sondazhit të 7 dhe të fundit të institutit italian Piepoli transmetuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report TV. Kur na ndajnë vetëm 7 ditë nga procesi zgjedhor, qytetarët shqiptarë votojnë në shumicë për Partinë Socialiste duke i dhënë në zgjedhjet e 25 prillit 69-73 mandate deputetësh. Ndërsa 39-43% të qytetarëve të pyetur janë përgjigjur pro koalicionit PD-AN, thënë ndryshe 46-58 mandate, duke shënuar rritje krahasuar me zgjedhjet e 2017.  Sipas sondazhit parashikohet që LSI të marrë 3.5 deri në 7.5% të votave ose 8-10 mandate duke shënuar tkurrje të ndjeshme nga zgjedhjet e 2017. Parashikohet që në zgjedhjet e 25 prillit PSD e Tom Doshit të fitojë një mandat, sikurse dhe Nisma Thurje dhe Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit. Secila nga këto parti parashikohet të marrin nga 0-2% të votave.

Të pyetur se si e gjykojnë mandatin e dytë të qeverisë Rama 57% e shqiptarëve  japin notë pozitive kundrejtë 43% që e cilësojnë qeverisje të keqe. 56% e shqiptarëve e vlerësojnë me notë negative aksionin opozitar të 4 viteve të fundit.

Po si parashikohet të ndahen mandatet në 12 qarqet e vendit?

Sipas të dhënave të sondazhit socialistët fitojnë 8 qarqe në Shqipëri nga 12 gjithsej ndërsa demokratët do të ruajnë shumicën në Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës. Nëse do të votohej sot në Tiranë PS fiton 49-53% të votave ose ndryshe 18-20 mandate deputetësh jo vetëm duke ruajtur rezultatin e vitit 2017, por edhe duke pretenduar një rritje me 2 deputetë. Për Partinë Demokratike dhe Aleancën për Ndryshim do të votonin 36-40% ose 12-14 mandate. Sa i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim do të merrte 4-8% të votave, ose 1-3 mandate. Ndërkohë që surpriza është Nisma Thurje, e cila do të merrte 1-3% të votave ose përkthyer në mandate 0-1 mandate. Në garë për mandat në kryeqytet është edhe Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit.

Edhe në Durrës fitojnë socialistët me 6-8 mandate, aq sa është projeksioni i PS ku i 8 në listë për herë të parë në këtë qytet kandidon kryeministri Rama. Ndërkohë që PD-AN parashikohet të marrë 40-44% ose 5-7 mandate deputetësh. LSI parashikohet të marrë 2 deputetë në Durrës.

Partia Socialiste kryeson bindshëm me votë dhe me mandate në qarkun e Elbasanit.  Demokratët do të vijojnë ta mbajnë si bastion qytetin e Shkodrës duke fituar 49-53% të votave që ndryshe përkthehen në 5-7 mandate deputetësh nga 11 që ka gjithsej. Partia Demokratike del forcë e parë në qarkun e Lezhës, ku nëse do të bëheshin zgjedhjet sot ajo do të merrte nga 51-55% të votave, ose e përkthyer në mandate 3-5. Nga ana tjetër, Partia Socialiste do merrte 2-4 mandate, ose 37-41% të votave.  PS ka njohur një rritje në qarkun e Fierit, ndërsa në garë për një mandat është Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit si edhe Nisma Thurje.

Të pyetur për sjelljen e presidentit Meta dhe përfshirjen e tij në fushatë 43% e shqiptarëve e vlerësojnë shumë negative dhe 20% mjaftueshëm negative.

Instituti Piepoli realizon prej 60 vitesh sondazhe në Itali për RAI-n dhe për televizionet më të rëndësishme kombëtare. Edhe këtë vit kishte partner në Shqipëri Report Tv dhe 7 sondazhet e fundit ishin pjesë e marrëveshjes mes palëve për të ndjekur gjithë procesin zgjedhor në Shqipëri deri më 25 prill 2021. Më parë falë këtij bashkëpunimi Instituti prestigjioz Piepoli arriti të parashikonte saktësisht zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 dhe 2017 në Shqipëri.