
Autoritetet federale në SHBA publikuan imazhe të reja të tre oficerëve të inteligjencës iraniane që dyshohet se janë përfshirë në rrëmbimin e agjentit special të pensionuar të FBI-së, Robert Levinson.
Imazhet e Reza Amiri Moghadam, Taghi Daneshvar dhe Gholamhossein Mohammadnia janë pjesë e një hetimi të gjerë mbi zhdukjen e Levinson në vitin 2007, tha zyra e FBI-së në Uashington, shkruan CBS News.
Moghadam është ambasadori aktual iranian në Pakistan dhe më parë drejtoi njësinë e operacioneve të Ministrisë iraniane të Inteligjencës dhe Sigurisë në Teheran, një agjenci anëtarët e së cilës FBI-ja i ka akuzuar për ndihmë në orkestrimin e rrëmbimit të Levinson.
Daneshvar përshkruhet nga FBI si një oficer i rangut të lartë në ministrinë iraniane të inteligjencës i përfshirë në aktivitete kundërspiunazhi. Rreth kohës kur Levinson u zhduk, ai dyshohet se mbikëqyri punën e Mohammad Baseri , një tjetër oficer iranian i inteligjencës të cilin qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka akuzuar për rrëmbimin.
Mohammadnia është një zëvendës i lartë në ministrinë e inteligjencës i cili shërbeu si ambasador iranian në Shqipëri në vitin 2016, përpara se të dëbohej nga Shqipëria dy vjet më vonë për “dëmtim të sigurisë së saj kombëtare”, sipas FBI-së. Agjencia amerikane tha se Mohammadnia udhëhoqi një iniciativë për të fajësuar zhdukjen e Levinson “një grup terrorist në rajonin e Baluchistanit të Pakistanit për të larguar fajin nga qeveria iraniane”.
Që nga zhdukja e Levinson, SHBA-të kanë mbajtur qëndrimin se agjenti në pension u rrëmbye gjatë një misioni të paautorizuar të CIA-s në Iran dhe më pas u ndalua padrejtësisht nga qeveria iraniane. Besohej se Levinson ishte gjallë për vite me radhë, derisa zyrtarët amerikanë në vitin 2020 thanë se inteligjenca tregoi se ai mund të ketë qenë i vdekur “për një farë kohe”.
Moghadam, Daneshvar dhe Mohammadnia u sanksionuan nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së në mars për dyshimin se luajtën një rol në “rrëmbimin, vdekjen e mundshme të Levinson dhe përpjekjet e Iranit për të mbuluar ose errësuar përgjegjësinë e tyre”, tha agjencia federale në një njoftim në atë kohë./
Komente