Ish deputeti i PD, Fatos Hoxha, që u përfshi në listat e PDIU për Kukësin, ka lnjoftuar sot tërheqjen nga gara për 25 qershorin. Me anë të një letre, ai ka bërë me dije të gjitha arsyet që e shtynë të merrte këtë vendim. Hoxha shkruan se shpallja e listave të PD dhe futja e saj në zgjedhje, është një ditë historike. Ai paralajmëron se nëse PD humbet në Kukës, ‘faji është vetëm’ i selisë qendrore të kësaj partie dhe jo i demokratëve.
‘Edhe pse ligji nuk e lejon çregjistrimin e listës së regjistruar tashmë, Fatos Hoxha, Everest Demushi dhe Lirie Ahmeti, pra gjithë lista e PDIU-së për Qarkun e Kukësit, i hapin krahun listës së PD-së për këtë qark, duke u bërë thirrje gjithë demokratëve, mbështetësve tanë, që të përqendrojnë të gjitha votat tek lista e PD-së. Bashkëpunimi ynë me PDIU-në në këtë fushatë është mbyllur këtu në miqësi dhe mirëkuptim, me urimet për suksese në garë. Ne u futëm në garë për të mbrojtur ngjyrat tona e për të përfaqësuar të braktisurit. Tani që ngjyrat kanë përfaqësim, ne jemi të bindur se ju dhe mbështetësit tanë në Qark do të na mirëkuptoni dhe do të respektoni thirrjen tonë për të votuar PD-në”, shkruan Hoxha.