Pandeli Majko bën thirrje për zgjedhje të parakohshme nëse reforma në drejtësi do të dështojë.
Duke theksuar domosdoshmërinë e miratimit të reformës, Majko vë Shqipërinë përpara “drejtësisë”. “Të ‘kapësh’ Shqipërinë me arsyetimin se të tjerë duan të ‘kapin’ drejtësinë është një kalkulim i gabuar politik”, thotë ai, që deri më sot kishte qëndruar në heshtje kur kolegu i tij Ben Blushi i kërkonte të zgjidhte Shqipërinë para Partisë.
Megjithatë Majko thotë se nëse reforma dështon, ky koalicion nuk mund më të qëndrojë, duke i dhënë kështu një mesazh edhe partnerit LSI. “Sot “Dita D” e Reformës së Drejtësisë. Nëse nuk duan kompromisin që kemi ofruar dhe ofrojmë. Nëse nuk pranojnë të shkojmë me alternativa në popull që ai të vendosë me referendum. Nëse nuk do të pranohen sot zgjidhjet e ofruara nga ekspertiza ndërkombëtare. Nëse njëra nga këto alternativa nuk ndodh… Shkojmë drejt Zgjedhjeve të Parakohshme pa zgjidhje.
Shqipëria hyn në “karantinë” mbi 3 -vjeçare si shtet i dështuar. Rrugët e integrimit europian të vendit mbyllen. Shoqëria shqiptare do të degradojë në një shoqëri mafioze me apo pa Partinë Socialiste në pushtet. Përballë këtij realiteti cinik shpresoj të marrë fund alternativa opozitare se partitë duhet të emërojnë dhe kontrollojnë gjykatësit dhe prokurorët. Në se reforma nuk votohet për këtë arsye atëherë më mirë një dështim se sa një mashtrim. Të “kapësh” Shqipërinë me arsyetimin se të tjerë duan të “kapin” drejtësinë është një kalkulim i gabuar politik. Një Shqipëri e dështuar dhe pronë e politikanëve është një eksperiment i provuar në historinë e vendit tonë. Shpresoj deri në fund për kompromisin. Shqipërisë i kemi borxh të ardhmen. Zoti na ndihmoftë!” shkruan Majko në faqen e tij në Facebook.